Sport Premier League, ‘enigma’ e vetme në Europë: Arsenal kryeson, City shpreson te...

Premier League, ‘enigma’ e vetme në Europë: Arsenal kryeson, City shpreson te Haaland

Premier League angleze është kampionati i vetëm në 5 ligat kryesore të Europës që ende nuk ka shpallur matematikisht fituesin e këtij sezoni.

Kur kanë mbetur në lojë edhe dy javë për t’u zhvilluar, distanca mes Arsenalit dhe Manchester City qëndron në vetëm 1 pikë.

Epërsi minimale, duke parë që për kampionët në fuqi të kompeticionit, është në dispozicion edhe një ndeshje më shumë për t’u zhvilluar, ajo e prapambetura e javës së 34-të ndaj Tottenham Hotspur.

Skenar që prish llogaritë dhe mban ende në ankth tifozët, ndërsa konfirmon diferencat e vogla që ekzistojnë në elitën e futbollit anglez. Manchester City duket se ka një marsh më shumë në këtë moment. Erling Haaland është shpresa e madhe e Pep Guardiolës, me sulmuesin që u konfirmua golashënuesi më i mirë i kampionatit.

Në fitoren 5-1 ndaj Uolves, norvegjezi u ngjit në kuotën e 25 rrjetave, teksa shënoi tripletën e dytë në karrierë brenda pjesës së parë.

Haaland bëhet lojtari i tretë i ndryshëm që shënon dy tregolësha në këtë hark kohor, për t’u bashkangjitur me emra si Andrew Cole dhe Michael Owen.

Edhe kalendari e favorizon, pasi përveçse me Tottenham luan ndaj Fulham dhe West Ham, dy kundërshtarë që kanë garantuar qëndrimin në mesin e tabelës.

Ndërkaq për Arsenalin, fati rezervon Manchester United dhe Evertonin për një sprint emocionues drejt titullit kampion.