Shumica e vendeve kanë mbyllur kufijtë, por shumë shtetas shqiptarë janë bllokuar në vendet e tjera për shkak të mbylljes së kufijve.
Mësohet se pas ndërhyrjes së Ministrisë së Jashtme dhe përfaqësive diplomatike të vendosura në vendet fqinje, u bë e mundur kthimi në vendin tonë i mbi 100 shtetasve shqiptarë.
Një numër i lartë shqiptarësh ka mbetur në Itali, në pamundësi për t’u kthyer. Megjithatë, Ministria e Jashtme ka ngritur një task-forcë, e cila po merret me evidentimin e shqiptarëve që kanë mbetur të bllokuar në botë dhe që kërkojnë të kthehen.
Autoritetet, i bënë thirrje të gjithë shqiptarëve që kanë urgjencë dhe domosdoshmëri për të lëvizur, përpara se të presin biletat apo të nisin udhëtime ajrore dhe tokësore, të konsultohen fillimisht me ambasadat në vendin përkatës.
Një autobus me 22 gra, i bllokuar në vijën kufitare që ndan Hungarinë me Serbinë, ka hyrë në Republikën e Serbisë për të marrë rrugën e kthimit në atdhe.
Lajmi është konfirmuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi, e cila kishte marrë informacion dje për autobusin e bllokuar që vinte nga Belgjika dhe do të kthehej në Shqipëri.
Të shumtë janë edhe personat që për arsye turizmi dhe biznesi ndodhen në Dubai, por 32 prej tyre që kanë udhëtuar nga kontinenti aziatik drejt Shkupit, kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit shqiptar që të realizojë kthimin e tyre me autobus drejt Shqipërisë.
Ka edhe nga ata shqiptarë, që për arsye kurimi marrin rrugët e Europës, siç është rasti i një çifti, i cili ishte nisur drejt Italisë në rrugë tokësore. Për shkak të mbylljes së kufijve ata kishin mbetur në Kroaci. Është lajmëruar se ata janë transportuar me mjete të ambasadave shqiptare në Zagreb, Bosnje-Mal të Zi, për të mbërritur në shtetin tonë.
Gjithashtu, edhe 9 persona që udhëtonin më automjete personale dhe 39 shtetas që udhëtonin me autobus nga Hungaria, pas disa orësh pritje, dhe vetëm më ndërhyrjen e Ambasadës në Beograd, ata u lejuan të vijojnë udhëtimin dhe kanë mbërritur në Shqipëri.
Për shkak të pezullimit të biletës së tyre , një nënë shqiptare sëbashku me djalin e saj 11 vjeçar në Barcelonë , pas ndërhyrjes së Task Forcës të ngritur në MEPJ është arritur që ato të kthehen në Tiranë të martën nëpërmjet Gjermanisë.
Ndërsa një marinar shqiptar, që kishte ankoruar anijen në Sfax të Tunizisë ishte sëmurë dhe nuk është pranuar në spital me friken e infektimit nga koronavirusi. Ai është ndihmuar nga ambasada shqiptare në Athinë, e cila mbulon dhe Tunizinë.