Bota 1,3 miliardë banorë dhe vetëm 1000 vdekje, si e izoloi India koronavirusin?

1,3 miliardë banorë dhe vetëm 1000 vdekje, si e izoloi India koronavirusin?

Në më pak se një muaj më parë, e ardhmja e Indisë dukej si mos më keq. Ekspertët parashikuan se vendi mund të presë miliona raste të koronavirusit. Mjekët paralajmëruan se India do të duhej të përgatitej për një valë rastesh që do të godisnin sistemin shëndetësor. Të tjerë u shqetësuan se virusi mund të përhapet njësoj si vatër zjarri nëpër lagjet e varfra të Indisë, ku banorëve shpesh u mungojnë kushtet minimale higjieno-sanitare.

E me gjithë këto shqetësime, vendi i dytë më i populluar në botë duket se deri tani  ka shmangur më të keqen. Në fundin e muajit prill, India raportoi 31360 raste me koronavirusi dhe 1008 vdekje (sot kanë vajtur 1323), me një mesatare 0,76 vdekje për 1 milion banorë. Në Shtetet e Bashkuara, numri i vdekjeve për 1 milion banorë është më shumë se 175.

Numrat pozitivë të Indisë vërtetojnë se bllokimi i mbarë vendit për të ndaluar përhapjen e Covid-19 funksionon, të paktën tani për tani. “India nuk priti që problemi të përshkallëzohej”, tha kryeministri vendas Narendra Modi më 14 prill, pasi zgjati bllokimin mbarëkombëtar deri më 3 maj. “Sapo problemi u shfaq, ne u përpoqëm të ndalojmë duke marrë vendime të shpejta. Unë nuk mund ta imagjinoj se në çfarë gjendje do të ishim sikur të mos ishin marrë vendime kaq të shpejta”.

Shumë herët për të nisur festën

Por realiteti që qëndron pas numrave të Indisë është më i ndërlikuar se kaq dhe ekspertët paralajmërojnë se është shumë herët për të nisur festën. “Të paktën, në këtë raund, duket se virusi nuk dëmtoi aq sa i druheshim, u shpreh Srinath Reddy, Presidenti i Fondacionit të Shëndetit Publik të Indisë. “Nuk mendoj se mund të themi që mbyllur plotësisht këtë kapitull”.

Por sa të shpejtë ishin vendimet e Modit? Më 24 mars, kryeministri njoftoi zgjerimin e izolimit edhe për 3 javë të tjera. Kjo gjë ishte e paprecedentë. India ka një popullsi prej 1,3 miliardë, dhe i vetmi vend me një popullsi më të madhe, Kina, aplikoi bllokime nëpër qytete, por kurrë një shtet mbarë. Ishte një vendim me risk të madh. Hyrja në bllokim nënkupton miliona punëtorë me paga ditore që nuk mund të marrin të ardhurat.

Por injorimi i një bllokimi të tillë rrezikoi sistemin e kujdesit shëndetësor të gjithë Indisë. Një studim për mënyrën se si mund të precipitonte situata pa masa distancuese sociale, nxirrte rreth 150 milionë njerëz të infektuar deri në qershor. Të tjerë zyrtarë të lartë thanë se vendi do të kishte më shumë se 100 000 raste deri tani nëse nuk do të nuk do të ishte urdhëruar bllokimi i gjithë vendit. Ky vendim erdhi në momentin kur shteti raportoi  519 raste me koronavirus. Për ta krahasuar me Italinë, përtej Adriatikut ishin infektuar 9200 persona deri kur qeveria vendosi bllokimin e kufijve. Jo më pas mbetet Mbretëria e Bashkuar që priti deri në 6700 raste pozitive.

Pas bllokimit, mijëra punëtorë emigrantë u përpoqën të largohen nga qytetet kryesore të Indisë sepse kufizimet i linin pa punë. Kjo shkaktoi frikë me idenë se emigrantët mund të ishin ata që përhapnin virusin, madje zyrtarë në shtetin Uttar Pradesh nisën t’i dezinfektonin, si masë parandaluese ndaj infektimit. Rreth një javë pasi nisi bllokimi, dy persona ndërruan jetë nga koronavirusi, në lagjet e Mumbait. Pas vdekjes së dytë, anëtarët e familjes së viktimës u testuan dhe u vendosën në karantinë në shtëpi, njëkohësisht u bllokuan 300 shtëpi dhe 90 dyqane të asaj lagjeje.

India mori masa paraprake përpara se të niste bllokimin e vendit. Më 11 mars, shteti në jugun e Azisë pezulloi të gjitha vizat turistike dhe njoftoi se të gjithë udhëtarët që kishin qenë në zonat më të prekura të botës në javët e kaluara do të karantinohen për të paktën 14 ditë. Nga 22 marsi, të gjitha fluturimet tregtare ndërkombëtare u ndaluan të ulen në Indi dhe të gjitha shërbimet e trenave të pasagjerëve në vend u pezulluan. Shtetet e Bashkuara ndërkohë ndaluan të huajt që vinin nga Kina, Irani dhe vendet e prekura evropiane, por vetëm kaq. Të huaj të tjerë vijonin të futeshin në territorin amerikan.

Po sikur numrat të mos jenë të saktë?

Si në çdo vend, vlerësimi i përhapjes së pandemisë bëhet nëpërmjet shifrave që serviren. Dhe kjo varet nga testimi. Ministria e Shëndetësisë në Indi, ka kryer më shumë se 625000 testime në më pak se 3 ditë duke kaluar edhe Korenë e Jugut, një nga vendet që ka kryer më shumë se kushdo në botë tamponë. Kur ekspertët e shëndetit publik vlerësojnë se sa shumë një vend po testohet, ata nuk shikojnë vetëm numrin e përgjithshëm, përkundrazi ata shohin shkallën e rasteve pozitive më serioze. Pra, nëse një pjesë e madhe e testeve po rezultojnë pozitive, kjo tregon se vetëm rastet më serioze – siç janë ato në spital – janë duke u testuar.

Sipas Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i Programeve të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, një standard i mirë është që të ketë të paktën 10 raste negative për çdo pozitiv. Rreth 4% e testeve të Indisë janë pozitive, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Indi – shumë poshtë këtij standardi. Raport shumë më i ulët se SHBA-ja, duke iu referuar gjithmonë si vendi më i goditur nga koronavirusi, ku norma është rreth 17%, sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins. Aq më tepër se Mbretëria e Bashkuar, ku numri i rasteve pozitive është rreth 21% nga totali i testimeve.

Një masë tjetër e dobishme është përqindja e rasteve që janë fatale. Në Indi, rreth 3% e rasteve kanë vdekur, krahasuar me më shumë se 13% në Itali, Britani të Madhe dhe Francë. Dhe ky është një tregues i rëndësishëm. India po teston edhe të prekur të tjerë përveç atyre me simptoma më serioze. Shkalla e testimit në Indisë është gjithsesi jashtëzakonisht e ulët për frymë. Vetëm rreth 48 nga çdo 100000 njerëz janë testuar, krahasuar me rreth 1175 në Korenë e Jugut dhe 1740 në SHBA.

Samir Saran, Presidenti i Fondacionit të Kërkimeve Observer, thotë se India ka rritur aftësitë e saj testuese, por ai ende nuk është i kënaqur me numrat. Ndërsa ekspertë të tjerë thonë se testimi i përhapur në komunitet do të ishte jopraktik dhe një humbje burimesh. Kjo gjë duhet shqyrtuar me kujdes thotë Saran, duke pasur parasysh që India ka një numër të madh të popullsisë dhe shumë punëtorë që udhëtojnë çdo ditë midis rajoneve.

Edhe pse India mund të mos jetë duke testuar sa duhet, mjekët ndoshta po kapin shumicën e rasteve të moderuara dhe të rënda. Nëse do të kishte një rritje të madhe të rasteve Covid-19 që nuk identifikoheshin nga testimi, atëherë spitalet do të ishin të mbushur kishte një rritje të simptomave në komunitet. Tani për tani, nuk ka asnjë tregues për asnjërën por, ka një provë në rritje që Covid-19 shkakton simptoma shumë përtej simptomave të ngjashme me gripin.

Edhe kur India nuk përballet me një pandemi, vetëm rreth 22% e të gjitha vdekjeve të regjistruara certifikohen nga mjekësia. Kjo do të thotë se, në shumicën e vdekjeve, shkaku zyrtar nuk vërtetohet nga një mjek. Dhe tashmë ka prova që disa vdekje mund të jenë duke fluturuar nën radar. Një mjek rezident në një nga spitalet kryesore të qeverisë në Mumbai tha javën e kaluar se kur trupat e vdekur u sollën në spital, ata nuk i verifikuan pavarësisht dyshimeve se shkaktar ishte Covid-19. “Nëse dëshmitë tregojnë se viktima ka pasur kontakt me dikë që është testuar pozitivisht për virusin, ne veprojmë me trupin në të njëjtën mënyrë siç do të bënim për pacientët që janë verifikuar pozitiv me Covid”, u shpreh ai.

Por, ekspertët thonë se në këtë fazë, nuk duket fluks vdekjesh nga koronavirusi. Edhe nëse nuk po testojmë sa duhet apo nuk po zbulojmë sa duhet, nuk ka trupa të mjaftueshëm në spitale dhe morgje për të kuptuar nëse jemi në mes të diçkaje vërtet dramatike në këtë fazë, sipas Samir Saran.

Kështu, numërimi i vërtetë i vdekjeve të Covid-19 do të vijë shumë më vonë, kur statistikat nga ky vit do të krahasohen me ato të viteve të kaluara. Masat e shpejta të politikës së Indisë tregojnë vetëm një pjesë të ngjarjes. Edhe para bllokimit të Indisë, koronavirusi ishte i pranishëm në vend, vendi kishte raportuar disa raste të koronavirusit, por jo shumë. Më 30 janar, India raportoi rastin e saj të parë – një student që kishte studiuar në Universitetin e Wuhan në Kinë. Ishte gati në të njëjtën kohë që Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia gjithashtu raportuan rastet e tyre të para, megjithëse shpërthimet e tyre të koronavirusit ndoqën trajektore dramatikisht të ndryshme. Të tre vendet bashkë tani kanë mbi 100000 raste të koronavirusit.

Ekspertët ende nuk janë të sigurt pse virusi ka treguar një model tjetër përhapjeje në Indi. Një arsye e mundshme, është se koronavirusi mund të lulëzojë në kushte më të ftohta, që do të thotë se mund të mos përhapet aq me efikasitet në Indi, ku temperaturat shpesh janë më shumë se 30 gradë celsius. Por provat shkencore deri më tani kundërshtojnë këtë ide. Organizata Botërore e Shëndetit thotë se provat deri më tani tregojnë se koronavirusi mund të transmetohet në të gjitha zonat, përfshirë ato me mot të nxehtë dhe të lagësht. Komiteti i Akademisë Kombëtare të Shkencave të SHBA.-së tha që të dhënat nuk tregojnë nëse koronavirusi përhapet aq lehtë në mot të ngrohtë sikurse ndodh në mot të ftohtë.

Një mundësi tjetër, është që popullsia e Indisë të jetë më pak e ndjeshme për shkak të politikës së vendit për vaksinimet, e cila u krijua për të luftuar tuberkulozin. Kjo në fakt po studiohet në të gjithë botën si një mënyrë e mundshme për të luftuar koronavirusin e ri. Sidoqoftë, OBSH-ja vëren se nuk ka asnjë provë që vaksina mbron njerëzit nga infeksioni me Covid-19, dhe OBSH-ja nuk e rekomandon vaksinën si një parandalim kundër këtij virusi. Tani për tani, nevojiten më shumë prova. Faktori që ka mbrojtur Indinë është ende i paqartë.

A do të jetë e mjaftueshme një mbyllje prej 40 ditësh?

Edhe nëse shpërthimi i Indisë është relativisht i vogël, nuk është ende koha për të festuar. Ekziston një larmi e madhe mendimesh në lidhje me atë që do të ndodhë kur India t’i jap fund bllokimit më 3 maj – nëse rastet do të rriten, ose nëse bllokimi do të ketë arritur të frenojë përhapjen. “Një rritje do të ndodhë… sapo të përfundojë bllokimi mbarëkombëtar. Kjo është përshtypja ime”, tha Oommen Kurian, një anëtar i moshuar në Fondacionin e Kërkimeve “Observer”. “India ia doli me sukses në këtë pauzë të gjatë. Por problemi është se nuk mund të jemi në pauzë përgjithmonë”.

Faktor përcaktues do të jetë nëse kufizimet duhet të jenë prezente edhe pas hapjes së vendit. Ekspertët thonë se distanca sociale do të duhet të mbahet, megjithëse disa shtete me më pak raste mund të jenë në gjendje të lehtësojnë kufizimet. Uttar Pradesh – shteti më i populluar i Indisë me 200 milionë banorë – ka zgjeruar masën e ndalimit të tubimeve publike deri në fund të qershorit. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se nëse masat e distancimit shoqëror dhe higjienës “nuk merren seriozisht, situata mund të jetë aq problematike sa që sistemi shëndetësor nuk i ka kapacitetet për të përballuar”.

Një gjë që nuk do të funksionojë në Indi është një diferencimi i brezave, ku të moshuarit qëndrojnë brenda dhe të rinjtë lejohen të kthehen në punë. Dihet tashmë që në të gjithë botën, të moshuarit rrezikohen më shumë nga koronavirus. 80% e vdekjeve në SHBA kanë qenë të moshave 65 vjeç ose më të vjetër. India ka një popullsi relativisht të re – 44% e popullsisë janë 24 vjeç ose më të rinj, krahasuar me 23% në Itali dhe 29% në Kinë. Por shumë indianë jetojnë në një familje me tre gjenerata, që do të thotë se ekziston një kontakt i rëndësishëm midis brezave të rinj dhe të moshuar”.

Kjo i bën të moshuarit në Indi veçanërisht të prekshëm, pasi ata kanë shumë më shumë gjasa të kapin infeksionin nga gjenerata e dytë dhe e tretë, mbi të cilët infeksioni, duke thënë statistikisht, do të ketë vetëm efekte të buta. Edhe nëse India arrin të shmangë virusin më të keq të kësaj here, ka shumë për të bërë. Qeveria duhet të punojë për të mbështetur fuqinë punëtore joformale të vendit, të cilët po paguajnë koston e bllokimit. Qeveria duhet të forcojë sistemin shëndetësor publik për t’u përgatitur për një rikthim dhe ringjallje të mundshme në dimër. “Kjo nuk është një sfidë për një muaj, kjo do të jetë një sfidë 12-mujore,” shprehet Srinath Redi, President i Fondacionit për Shëndetin Publik në Indi. “Është një ekzaminim i mirë për të na treguar se si ne reagojmë si njerëz, bashkësi, vende, shtete”.

Burimi: A2 CNN