Pandemia e koronavirusit COVID-19 ka shkaktuar 13 të vdekur në Greqi, sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet shëndetësore greke.
Numri i të infektuarve është 530 persona, ndërsa mjekët dhe autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të kufizojnë lëvizjet.
Mjeku infeksionit Sotiris Tsiodras tha për mediat greke se mosha mesatare e viktimave është 76 vjeç.
12 prej viktimave vuanin dhe nga sëmundje të tjera të rënda dhe koronavirusi rëndoi gjendjen e tyre shëndetësore.
Ndërsa viktima e 13 është një grua. Mjeku foli edhe për rëndësinë e izolimit të qytetarëve në shtëpi.
“Spitalet tona duhet të trajtohen si vende ku shpëtohet jetë, dhe jo si vende të vdekjes. Nuk duam që spitalet tona të shkatërrohen, nuk duam qindra të vdekur”, tha Tsiodras.
Infeksionisti grek paralajmëroi se gjatë ditëve në vijim pritet rritje e numrit të personave të infektuar.
“Epidemia do të rritet, por shpresojmë që të mos shkojë përtej parashikimeve tona”, u shpreh ai.
Edhe qeveria greke ka marrë masa për të mos lejuar përhapjen e koronavirusit, duke kufizuar qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve.