Dy fitoret radhazi ndaj Sevillas në La Liga dhe Borussia Moenchengladbach në Champions sukses që i siguroi jo vetëm kualifikimin por edhe vendin e parë në grup Realit, është rikthyer qetësia në kampin e Los Blancos, me stolin e Zinedine Zidane që tashmë nuk është më në pikëpyetje. Ndaj gjermanëve të Gladbach falë dy golave të Benzema në pjesën e parë trajneri francez arriti fitoren e tij të 150-të në stolin madrilen.
Zidane ka 105 fitore në La Liga, 28 në Champions League, 8 në Copa del Rey, 4 në Kupën e Botës për Klube, 3 në Superkupën e Spanjës dhe 2 në Superkupën e UEFA-s. Skuadra ka shënuar 536 gola gjatë kohës së tij në krye.
Por edhe pse është një nga trajnerët më fitues në historinë e Los Blancos, Zidane nuk mendon se mund të jetë një Alex Ferguson për Realin.
“Kurrë nuk do të jem Alex Ferguson i Real Madridit. Dua të argëtohem dhe nuk e di se sa kohë do të qëndroj këtu. Thjesht mendoj se sa me fat jam që ndodhem këtu, por nuk e di deri kur”, u shpreh francezi.
Të shtunën Reali ka një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme pasi do të sfidojë kryesuesit e Atleticos në derbi.