Juventus ka arritur të marrë një rezultat tepër pozitiv në “Dragao” të Portos duke vendosur një këmbë në çerekfinalen e Champions League.
Djemtë e Max Allegri-t hasën jo pak vështirësi të zhbllokonin rezultatin edhe Porto luajti për më tepër se një orë me një lojtar me pak pas daljes me karton të kuq të Teles.
Por dy zëvendësimet e Allegrit dolën të goditura teksa Pjaca dhe Alves i dhanë një avantazh të dyfishtë brenda dy minutave miqve.
Ndeshja nis me tension të madh nga të dyja palët dhe kjo shfaqet te gabimet e vogla të ekipeve në pasime, por vërtetohet me kartonin e kuq (dy të verdhë) të ish-lojtarit të Galatasaray dhe Inter Alex Telles që në minutën e 27-të.
Pas kartonit të kuq është Juventus ekipi që sulmon dhe bëhet i rrezikshëm në disa raste me Cuadrado dhe Higuain por mundësia më e mirë vjen në minutën e parë shtesë kur Dybala godet nga jashtë zone me topin që përplaset në shtyllën e djathtë. Dybala shfaqet sërish i rrezikshëm në pjesën e dytë madje duke shënuar një gol të anuluar për pozicion jashtë loje. Juventus vazhdon të insistojë por jo 100% dhe duket që luan me kujdes në mënyrë që të mos kapet në befasi nga lojtarët e shpejtë të Portos.
Një tjetër mundësi e mirë për Juventus vjen në minutën e 66-të por goditja me hark e Higuain me të djathtën e tij përfundon jashtë.
Por rezistenca e Portos zgjat deri në minutën e 72-të kur i sapo futuri në fushë Pjaca ndëshkon vendasit pas një kombinimi me Dybala dhe pak fat pas topit të devijuar nga mbrojtësi kundërshtar Pjaca godet fort dhe ulët nga brenda zonës duke çliruar italianët.
Dhe aq duhej që Juventus të krijonte më tepër vetëbesim dhe Porto të ndiente lodhjen teksa Dani Alves, edhe ai i sapo futur në fushë, stopon topin me gjoks brenda zonës dhe godet menjëherë duke mundur për të dytën herë Casillas.
Në minutat e fundit t ndeshjes ishte sërish Juventus që dominoi ndeshjen por nuk arriti të thellonte më tej rezultatin, i cili mbetet pozitiv.