Dëmet ndaj mjedisit, sisteme sociale të mbingarkuara, mungesë banesash. Strukturat në mbarë botën po dalin nga limitet e tyre ekonomikë, ekologjikë e shoqërorë. A ka alternativa? Cilat janë utopitë e reja konstruktive?
Viti 2020 në të kaluarën për shumë njerëz ka qenë sinonimi i së ardhmes, të cilën disa e përfytyronin të ndritshme e disa të errët. Sido që të jetë kjo e ardhme është tani!
A jemi të përgatitur mirë për këtë të ardhme? Nuk duket kështu, kur dëgjojmë përditë lajmet e tmerrshme: ndryshimi i klimës, dëmtimi i mjedisit, kolapsi i trafikut, sistemet sociale që nuk mbajnë më, papunësia, migrimi nga varfëria, mungesa e banesave – dhe lista mund të vazhdojë gjatë. Dhe problemet janë globale: Në Xhakarta, Lagos, Kairo, Los Angeles, Paris – gjithçka është krejtësisht ndryshe, gjithçka është larg, por sfidat e mëdha janë jashtëzakonisht të ngjashme.
Zgjidhjet e së djeshmes nuk vlejnë më për sfidat e së nesërmes
Bota me strukturat e njohura për ne është duke dalë nga kornizat e saj ekonomike, ekologjike dhe shoqërore, ose i ka tejkaluar tashmë ato. Dhe çfarë bëjmë ne? Ne riparojmë sistemin. Korrigjojmë dhe përmirësojmë, kështu kemi bërë gjithmonë. Për shembull tani po përpiqemi që motorin me djegie të brendshme ta zëvendësojmë me motorin elektrik. Një projekt mjaft kompleks dhe i shtrenjtë, që në fund të fundit shërben për të shpënë njerëzit nga A në B në mëngjes dhe nga B në A në mbrëmje.
A nuk do të ishte me më mend, që të mendonim se përse lëvizim çdo ditë? Përse njerëzit dynden për ditë në zyrat në qendër të qytetit, të cilat pastaj pas orarit së punës mbeten bosh. Në vendin më të mirë në mesin e qytetit, ku njerëzit me të ardhura normale prej kohësh nuk kanë më mundësi të banojnë. Edhe nëse udhëtojmë me mjete të transportit publik, sfida mbetet e madhe, sepse në këto periudha të ditës i gjithë trafiku mbingarkohet dhe arrin limitet e tij. A duhet të jetë dhe të mbetet kështu?
Pa prit një minutë!
Një tjetër shembull: Deri në mesin e shekullit, sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dy të tretat e njerëzimit në të gjithë botën do të jetojnë në qytete. Problemet, që lindin nga urbanizimi, prekin të gjithë pavarësisht se ku jetojnë.
Në të njëjtën kohë numri i familjeve shumëanëtarëshe, sidomos në qytetet e mëdha, po bie me shpejtësi prej vitesh. Një ndër dy shtëpi banohet ndërkohë nga një person, sepse ne jetojmë më gjatë dhe martohemi gjithnjë e më pak. Si të veprojmë në këto rrethana? Cilat janë alternativat?
Ose: Ne ankohemi për fermat blegtorale masive dhe për rezistentët ndaj antibiotikëve që lidhen me to, për tokat dhe ujin e ndotur me azot apo shpyllëzimin për prodhimin e ushqimit të kafshëve. E megjithatë nuk heqim dorë nga bujqësia tradicionale. A nuk ka ide më efektive, që i bëjnë blerësit dhe fermerët të lumtur?
Çfarë të bëjmë
Deri tani kryesisht kemi trajtuar simptomat, pa u konfrontuar me shkaqet. Ne i riparojmë problemet e shekullit të kaluar me zgjidhjet e shekullit të kaluar. Sidoqoftë me gjithnjë e më pak sukses, sepse problemet po bëhen gjithnjë e më komplekse. Është koha për të rishikuar problemet e shekullit të kaluar dhe ndoshta për të gjetur zgjidhje më të mira, krejt të reja.
Redaksia e ekonomisë në Deutsche Welle ka vendosur të bëjë pikërisht këtë në vitin 2020: të mbledhë qasje dhe zgjidhje premtuese nga një larmi fushash dhe të skicojë një utopi konstruktive, d.m.th. të realizueshme. Si mund të jenë në të ardhmen puna, lëvizshmëria, ushqimi, komunikimi, mjekësia, hapësira e të jetuarit dhe bashkëjetesa.
Ne jemi në gjendje t’i bëjmë gjërat më mirë!
Edhe pse tashmë ekzistojnë disa qasje premtuese për ndryshim, deri tani nuk i kemi zgjidhur me të vërtetë problemet masive ekonomike, ekologjike dhe sociale, çdo realist duhet ta pranojë këtë. Ne duam të ndërtojmë “një botë inteligjente”, e konsiderojmë veten jashtëzakonisht inteligjentë, por nuk i shtrojmë pyetjet e vërteta. Nuk dalim dot nga të menduarit e shekullit të 20-të dhe gjejmë mijëra arsye, përse gjërat janë si janë dhe nuk mund të jenë ndryshe.
“Nuk bëhet dot ndryshe! Kolegët duhet të jenë në zyrë. Ka për t’u rregulluar! Kush do t’i shesë atëherë mallrat? Të pastrojë rrugët? Etj, etj.”
Jetë e denjë për t’u jetuar
Por nuk është fjala për këtë. Nuk bëhet fjalë për ndalime apo për një “kthim romantik te natyra”. Nuk duhet ta kemi të gjithë zyrën në shtëpi, të jetojmë vegan në fshat dhe të ngasim vetëm biçikletën. Kjo është joreale, sepse për shumicën e njerëzve nuk është e dëshirueshme. Dhe atë që nuk e duam, nuk e bëjmë vullnetarisht. Detyrimi dhe ndalimet mund të jenë efikase, por sigurisht që ekzistojnë zgjidhje më tërheqëse, që e bëjnë të jetuarit dhe të punuarit bashkarisht më të këndshëm. E ardhmja është tani! Ne kemi nevojë për utopi të reja, konstruktive! Për këtë duam t’ua japim fjalën urbanistëve dhe futurologëve, ekspertëve të agronomisë dhe politikanëve, vizionarëve dhe mendimtarëve jokonformistë, se cilat mund të ishin strukturat dhe zgjidhjet më të mira. Të kërkosh alternativa është e lodhshme dhe sfiduese, por do t’ia vlejë!/DW