Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg mbyll shqyrtimin e kërkesës së familjarëve të viktimave të 21 Janarit me një shpërblim të detajuar. Zgjidhja është miqësore, ose e thënë ndryshe një marrëveshje me qeverinë.
Të përfshirë në zgjidhjen miqësore janë djali dhe gruaja e Faik Myrtajt, të cilët kanë edhe shifrën më të madhe të shpërblimit. Në listë gjendet edhe emri i vëllait të të ndjerit Hekuran Deda, Ilmiu dhe ish-bashkëshortja e Ziver Veizit.
Ndërkohë që Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës nuk figuron në listën e të shpërblyerve. Gjykata e Strasburgut nuk është shprehur ende për padinë e familjarëve të Aleks Nikës, vrasja e të cilit nuk ka autor. Për protestën e 21 Janarit janë dënuar nën akuzën e “vrasjes nga pakujdesia” Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa të afërmit e tyre prej 10 vitesh vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
VENDIM
Kërkesa nr. 62907/16
Rinaldo Myrtaj dhe të tjerët kundër Shqipërisë/ Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (Seksioni i Dytë), e mbledhur si një Komision, më 5 mars 2019, i përbërë nga:
Valeriu Griţco, kryetar,
Ivana Jelić, Darian Pavli, gjyqtarë,
Hasan Bakırcı, zëvendëssekretar i Seksionit,
Në lidhje me kërkesën e mësipërme, paraqitur më 25 tetor 2016, në lidhje me deklaratat formale, ku pranohej një zgjidhje me pajtim e çështjes, pasi diskutoi, vendosi si më poshtë:
FAKTET DHE PROCEDURA
Qeveria shqiptare u përfaqësua nga agjentja e saj e atëhershme, znj. A. Hicka, nga Avokatura e Shtetit. Kërkuesit u ankuan, mbështetur në nenin 2 të Konventës, se e drejta për jetën e familjarëve ishte shkelur si pasojë e veprimeve të Gardës Kombëtare gjatë protestës së zhvilluar më 21 janar 2011. Gjithashtu, ata u ankuan se përdorimi i dhunës vdekjeprurëse nuk ishte absolutisht e nevojshme dhe se autoritetet, nuk kryen një hetim efikas për vdekjen e familjarëve të tyre. Kërkesa iu komunikua Qeverisë më 20 nëntor 2017.
Më 30 korrik 2018 dhe më 14 dhjetor 2018, Gjykata mori deklarata për zgjidhje miqësore, të firmosura nga të gjitha palët.
Deklarata parashtron se:
“Kërkuesit ranë dakord të heqin dorë nga pretendimet e tjera kundër Shqipërisë në lidhje me faktet, të cilat ngrenë këtë kërkesë kundër angazhimit të Qeverisë për t’i paguar ata:
Rinaldo Myrtaj, EUR 39,000 (tridhjetë e nëntë mijëeuro)
Mamude Myrtaj, EUR 39,000 (tridhjetë e nëntë mijëeuro)
Ilmi Deda, EUR 15,600 (pesëmbëdhjetë mijë egjashtëqind euro)
Alma Rredhi, EUR 10,000 (dhjetë mijë euro).
Për të mbuluar dëmet monetare dhe jo monetare si edhe kostot dhe shpenzimet, të cilat do të jenë në monedhën vendase në normën e zbatueshme në datën e pagesës, dhe do të paguhen brenda tre muajve nga data e njoftimit të vendimit të marrë nga Gjykata. Në rast se kjo shumë nuk paguhet brenda periudhës së lartpërmendur prej tre muajsh, Qeveria merr përsipër të paguajë interes të thjeshtë ndaj saj, nga përfundimi i asaj periudhe deri në shlyerje, në një normë të barabartë me normën margjinale të huadhënies së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës përkatëse plus tre përqind. Pagesa do të përbëjë zgjidhjen përfundimtare të çështjes. Në vijim, Qeveria pranon se hetimi i kryer për rrethanat e vdekjes së të afërmve të kërkuesve nuk pajtohej me nenin 2 të Konventës dhe se këto çështje nuk adresoheshin në procedimet penale të realizuara, të sipërpërmendura. Gjithashtu, Qeveria ndërmerr rihapjen e procedimeve të brendshme penale për këtë çështje, duke marrë në konsideartë përfshirjen e të afërmve të viktimave në këto procedime.”