Aktualitet 25 të arrestuar për protestën në Tiranë, 130 të proceduar

25 të arrestuar për protestën në Tiranë, 130 të proceduar

Pas protestës të së premtes, Policia e Tiranës ka arrestuar 25 persona dhe janë proceduar në gjendje të lirë 130 të tjerë, të cilët akuzohen për 7 vepra penale.

Ndër akuzat për të cilat Kodi Penal parashikon dënim më të rëndë, janë ato të mbajtjes dhe përdorimi i lëndëve plasëse, shkatërrimi i pronës me zjarr apo mosbindja ndaj policisë.

Kanë mbetur të plagosur 3 efektivë policie. Në njoftimin për shtyp, policia thotë se personat e dhunshëm u identifikuan nga filmimi i forcave operacionale, ndërsa po punohet për të gjetur të tjerë. Sipas policisë, për 4 orë me radhë, këto turma të ndara, përveç pronës shtetërore, dëmtuan edhe pronën private, si biznese apo automjete në rrugët “Myslym Shyri”, “Ibrahim Rugova”, “Gjin Bue Shpata”, “Sulejman Delvina” dhe “Sami Frashëri”.

Në total, në protestat e Tiranës, janë arrestuar 87 persona dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 250 shtetas. Ndërkaq, për protestën e së premtes në Durrës, policia ka arrestuar 7 persona dhe procedoi penalisht 7 të tjerë.