Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo bëri sot një paralajmërim kundër Rusisë, që sipas tij ”po pushton fqinjët dhe po vret kundërshtarët e saj politikë” dhe ndaj Kinës, e akuzuar se ”po përhap një vizion të ri autoritarizmi”.
“Kombet e lira dhe perëndimore kanë përgjegjësinë t’i pengojnë vendet si Kina, Rusia dhe Irani, që të kërcënojnë popujt tanë”, deklaroi Pompeo, gjatë një fjalimi në Berlin, në prag të 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.
Sekretari amerikan i Shtetit sulmoi në veçanti Rusinë, që drejtohet ”nga një ish-agjent i KGB-së”, Vladimir Putin, të cilin e akuzon se ”ka pushtuar vende fqinje”, Ukrainën dhe se ”po vret kundërshtarët e tij politikë”.
Mike Pompeo akuzoi edhe regjimin komunist kinez, që, sipas tij, po përhap një vizion të ri autoritarizmi.
Ish-drejtuesi i CIA-s theksoi se janë pikërisht këto arsyet se përse SHBA ka kundërshtuar projektin e gazsjellësit ”Nord Stream 2”, që do të lidhë Rusinë me Europën, duke qarkuar Ukrainën.
“Furnizimi me energji i Europës do të varet nga tekat e presidentit rus”, u shpreh ai me keqardhje.
Pompeo paralajmëroi gjithashtu edhe kundër synimeve të kompanive kineze, në veçanti kundër gjigantit “Huawei”, për zhvillimin e teknologjisë 5G.