Mbi 630 mijë të huaj kanë vizituar Shqipërinë në qershor, raporton Instituti i Statistikave.
Numri i turistëve krahasuar me qershorin e një viti më parë është rritur me 27%, ndërkohë si gjashtë mujor rritja është 11,3 %.
Ato që e kanë mbajtur gjallë turizmin kanë qenë qytetarët e Kosovës, që shënuan një rritje prej më shumë se 55%, ndërkohë përveç turistëve nga Polonia që janë në ulje, të gjithë shtetet e tjera janë në rritje.
Në Durrës është përqendruar më shumë industria e turizmit të organizuar. Operatorët thonë se ulja e lehtë e turistëve nga Polonia lidhet me turistët individual, ndërsa hyrjet përmes agjensive janë të kënaqshme.
“Përgatitjet kanë filluar edhe për vitin e ardhshëm”, thotë Sokol Hoxha, i cili punon si agjent turistik.
Të dhënat e INSTAT janë vetëm për muajin e parë të sezonit të plazhit në Shqipëri dhe operatorët turistikë në zonën e Durrësit thonë se gjendja është pozitive edhe për muajin korrik dhe prenotimet për muajin gusht.