Tetë qarqe të vendit e kanë mbyllur betejën me valën e pandemisë, ndërsa në tre qarqe të tjera, Tiranë, Shkodër dhe Durrës përqendrohet lufta për mbylljen e saj.
Akademia e Shkencave shprehet në buletinin e përditshëm se sfida me pandeminë në vendin tonë është konturuar qartë në tre qarqe: Tiranë, Durrës dhe Shkodër.
“Në këto tre qarqe rezultojnë sot 189 të sëmurë aktivë, nga 206 në tërë Shqipërinë. Tetë qarqe janë tashmë të çliruar, dhe i nënti, qarku i Lezhës, me 86 për qind të të sëmurëve gjithsej tashmë të shëruar, është fare pranë”, thuhet në buletin.
Edhe humbjet në jetët njerëzore, sipas këtij buletini, kanë qenë kryesisht në këto tre qarqe, ku numri i të ndarëve nga jeta për shkak të pandemisë është gjegjësisht 18 në Tiranë, 6 në Durrës dhe 2 në Shkodër.
Në Fier numri i jetëve të humbura është 3, ndërsa Vlora e Kukësi kanë regjistruar nga një humbje jetë. Në qarqet e tjera nuk ka pasur asnjë humbje.
“Ritmi i rritjes ditore të të sëmurëve në nivelin 1.2% në Tiranë e në shkallë vendi flet për një trend pozitiv. Ky tregues, tashmë nën 3% edhe në Krujë, tregon për frenimin e kësaj vatre dhe futjen e saj në fazën e uljes së sëmundshmërisë”, thuhet në buletinin e shpërndarë nga Akademia e Shkencave.