Kryesore Hapja e bar-kafeneve dhe restoranteve, rregulla të forta për pronarët dhe klientët

Hapja e bar-kafeneve dhe restoranteve, rregulla të forta për pronarët dhe klientët

Bar-kafenetë dhe restorantet janë bizneset më popullore në vendin tonë, dhe mbyllja e tyre gjatë epidemisë së COVID-19, ka shkaktuar mungesë të ardhurash për mijëra punonjës që janë të lidhur zinxhirë me këtë lloj aktiviteti tregtar. Në planin e lehtësimit të masave, qeveria ka parashikuar hapjen e tyre më 18 maj, por këtu janë përfshirë vetëm ato biznese që kanë ambiente të jashtme.

E kthyer në një pjesë të rëndësishme të zakonit të përditshëm, rihapja e lokaleve dhe restoranteve nuk do të thotë se do të rikthehen siç ishin para koronavisurit. Ndryshe nga se jemi mësuar që në lokal të qëndrojmë ngjitur me njëri-tjetrin, tashmë një gjë e tillë nuk është e mundur me  rregullat e parashikuara në protokollin e masave higjieno-sanitare COVID-19.

Procesi i parë do të duhet të kryejnë administratorët e këtyre bizneseve do të jetë kontrolli për të bërë vlerësimin e prezencës së simptomave të COVID-19 për stafin. Në rastet kur do të haset një prezencë e tillë, nuk duhet lejuar vijimi i punës dhe nga ana tjetër duhet telefonuar 127. Ndërsa për personat që do të shfaqin simptoma gjatë punës, duhet telefonuar mjeku i familjes.

Por, rregulla do të ketë dhe për klientët. Një nga pikat është mos lejimi i asnjë personi për të hyrë në subjekt nëse paraqet temperaturë 37.5. Në hyrje të bar-kafe dhe restoranteve do të ofrohet produkt higjienizues për duart për klientët, ku përqindja e substancës duhet të jetë minimalisht 60% alkool.

Një nga pikat kryesore që rekomandohet është shmangia e pagesave me para në dorë, por duke përdorur kartë. Në rastet kur pagesa do të bëhet me para në dorë, punonjësit e arkës do të duhet të dezinfektojnë duart pas çdo veprimi me “cash” dhe nëse pagesa bëhet në arkë, duhet vendosur xham mbrojtës midis punonjësit dhe klientit.

Ndryshe nga se jemi mësuar deri tani, do të jetë dhe mënyra e vendosjes së tavolinave dhe karrigeve me rregullat e reja, pasi distanca nga pjesa e pasme e një karrige me po pjesën e pasme të një karrige tjetër duhet të jetë të paktën 1 metër larg, në mënyrë që klientët ta shohin përballë njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 2 metra.

Subjekti bar-kafe ose restorant duhet të afishojë deklaratën për zbatimin e protokollit për subjektet, sipas formatit të miratuar ku përfshihet detyrimi për vetëvlerësim të simptomave nga personeli i punësuar/administratori/ çdo person tjetër palë e tretë, që hyn e del në ambientet e brendshme sipas formatit të miratuar ku përmendet përgjegjësia administrative apo penale për personin që nuk merr masat sipas detyrimeve ligjore dhe numri jeshil për denoncim.

Këto rregulla pritet që të ulin ndjeshëm numrin e klientëve për lokalet me hapësira të vogla të jashtme pasi ruajta e distancës nuk e mundëson një gjë të tillë. Përveç ankesës që pronarët e lokaleve dhe restoranteve kanë për orarin që do të lejohet aktiviteti i tyre (07:00-17:30), pasi në këtë orar shumica e njerëzve do të jenë në punë, numri i kufizuar i klientëve pritet të përbëjë një tjetër shqetësim. Pasi nga një anë ka rritje të konsiderueshme të kostos për shkak të masave që do të duhet të marrin dhe nga ana tjetër aktiviteti i tyre nuk do të jetë i plotë. I gjithë funksionimi i këtyre masave do të jetë një sfidë jo vetëm për bizneset, por edhe për autoritetet shtetërore që do të kryejnë kontrollet për zbatueshmërinë e tyre.