Albin Kurti do të takohet me Aleksandër Vuçiç në Gjermani
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen për herë të parë të premten në Gjermani, ku të dy janë pjesëmarrës në Konferencën për Siguri në Mynih.
Takimin e ka konfirmuar vetë presidenti serb, ndërsa ka deklaruar se ky moment është i rëndësishëm për të parë qëndrimin e qeverisë së re në Prishtinë.
“Albin Kurti do të jetë i pranishëm në panelin e përbashkët në Mynih, ku edhe unë do të jem i pranishëm, kështu do të shohim se si do të jetë atmosfera. Nuk mendoj se do të jetë e hapur për publikun, por më duket se do të jetë një mundësi e mirë për të vlerësuar drejtimin në të cilin mund të fillojnë bisedimet. Kjo është arsyeja pse ky qëndrim në Munih ka një rëndësi të madhe për ne, sepse do të vlerësojmë se cilët janë hapat e mëtejshëm të Qeverisë së Prishtinës, cilët janë hapat e gjermanëve, amerikanëve dhe të gjithë vendeve të tjera në bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Vuçiç në një intervistë për “Sputnik”.
Kreu i shtetit serb ka njoftuar po ashtu se gjatë qëndrimit të tij dyditor në Munih do të takohet edhe me Përfaqësuesin Special të presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Aleksandër Vuçiç po ashtu ka konfirmuar se do të nënshkruajë edhe marrëveshjen për rihapjen e linjës hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë.