Lulzim Basha përkujtoi përmes një postimi në rrjetet sociale 75-vjetorin e kryengritjes së antikomuniste të Kelmendit, duke thënë se sot, treçerekshekulli më vonë ka ende njerëz që ëndërrojnë se mund të shtypin me forcë shqiptarët.
“Edhe sot ndokush mund të përkundë të njëjtat ëndrra për likuidimin e çfarëdolloj opozite, në mënyrë që banda që ka zaptuar shtetin të mund të lavdërohet se mund të bëjë ç’të dojë në kurriz të vendit dhe shqiptarëve pasi s’i jep llogari askujt”, thotë kreu i PD-së.
Por, Basha thotë se këto ëndrra mbeten iluzione.
“Sa kohë kombi ka dhënë prova legjendare të dinjitetit dhe të dashurisë për lirinë, siç është Kryengritja e Kelmendit. Misioni i shenjtë i mbrojtjes me çdo kusht dhe me çfarëdo çmimi i lirisë dhe dinjitetit, na bashkon sot nën hijen e rëndë të shkabës dykrenare dhe bijve të saj, martirë të lirisë kombëtare”, vijon Basha.
Kryengritja e Klemendit nisi në fillim të vitit 1945, si revoltë kundër vendosjes nën kontroll nga forcat komuniste. Kelmendasit udhëhiqeshin nga Prek Cali. Basha thotë se ende sot kjo pjesë e historisë së Shqipërisë stigmatizohet.
“75 vjet më vonë, kjo faqe legjendare e rezistencës shqiptare kundër diktaturës, stigmatizohet nga historiografia falsifikatore e regjimit, ngjarja fshihet nga librat e shkollës dhe dëshmitë e prijësit Prek Cali, me gjithë kullën e tij rrafshohen, në një përpjekje të mjerë për të zhbërë atë që dot s’zhbëhet, kryengritjen e Kelmendit, që i jep dinjitet dhe lavdi të gjithë Shqipërisë. Këto përpjekje janë tregues të panikut të pasardhësve të skuadroneve të vdekjes, që erdhën në Kelmend me misionin antikombëtar të spastrimit të territorit nga elementët opozitarë”, deklaron Basha.