Politika “Bashkë për Shqipërinë”, mbi 100 shtete në Bruksel për donacionet për tërmetin

“Bashkë për Shqipërinë”, mbi 100 shtete në Bruksel për donacionet për tërmetin

Vendet e Ulëta do dhurojnë 3 milionë euro për rindërtimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë. Ishte Ministri i Jashtëm Stef Blok, i cili konfirmoi shumën që Mbretëria do të japë për vendin tonë. “Tërmeti shkatërrues që goditi Shqipërinë vitin e kaluar na tronditi të gjithëve. Vendete Ulëta janë të përkushtuara fort që të ndihmojnë Shqipërinë në përpjekjet për rindërtim”, tha ai të premten.

Ndërkohë një shumë prej 15 milionë eurosh është njoftuar më herët nga Komisioni Europian, si ndihmë e parë për të prekurit nga tërmeti.

Ndërsa Shqipëria qëndron gjithmonë me sytë nga Brukseli për negociatat, këtë të hënë do të jenë të gjithë në Bruksel me sytë nga Shqipëria, në konferencën e donatorëve “Bashkë për Shqipërinë”. Sipas agjendës, fjalën hapëse do ta ketë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von Der Leyen, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel.

Shqipëria shkon në Bruksel me një faturë mbi 1 miliardë euro në xhep, që do t’i duhet për rimëkëmbjen e vendit. Shifër kjo që shefin e qeverisë shqiptare nuk e ka bërë shumë optimist se mund të arrihet nga donacionet më 17 shkurt.