Nga Enver Robelli
Sundimtari i Serbisë, Aleksandar Vuçic, duke vajtuar dhe akuzuar Gjermaninë (pa e përmendur direkt) se pengoi planin që Beogradi të merrte veriun e Kosovës dhe Anamoravën.
“Ky ka qenë një shans i madh për ne. E kemi humbur këtë rast”, tha Vuçic për televizionin Happy.
Përkrahësit e ideve të Vuçicit në Prishtinë prej verës së vitit 2018 kanë thënë se Kosova do të marrë Luginën e Preshevës dhe nuk do të japë “asnjë milimetër, asnjë centimetër territor”.
Me mbështetjen e Federica Mogherinit, lobistëve të paguar mirë dhe diplomatëve të pensionuar, por të etur për honorare, viteve të fundit në tavolinë është vendosur harta e Kosovës dhe janë bërë plane për copëtimin e saj.
Duke folur për dështimin e planeve të tij, Vuçic përmend presionin që ka pasur nga Europa dhe sidomos nga një shtet i fuqishëm për të realizuar marrëveshjen për energji.
Për çka flet këtu Vuçiç? Flet për linjën e interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë, një projekt i financuar nga një bankë gjermane dhe qeveria e Berlinit, dhe i bllokuar nga Beogradi.
Kjo linjë do ta bënte Kosovën më të pavarur nga importi i energjisë nga Serbia, edhe çmimi i rrymës, sipas eskpertëve, do të ulej.
Tregu i energjisë në Ballkan në pjesë të madhe kontrollohet nga oligarkët serbë.
Ata kanë lidhje me politikanë e oligarkë në të gjitha vendet e rajonit.
Andaj viteve të fundit ka pasur akuza se edhe qeveria e Sali Berishës e ka penguar linjën e interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Por projektin nuk ka arritur ta shtyjë përpara as qeveria aktuale e Tiranës, për shkak të bllokadave serbe.