Mourinjo është gjithmonë e më pranë Realit dhe zyrtarizimi duket çështje orësh. Trajneri portugez nuk po rri thjesht në pritje, por po i paraprin punës. Ai u ka të qartë drejtuesve të klubit spanjoll se cilët lojtarët dëshiron të ketë në skuadër. Mourinjos i pëlqen shumë të bëjë pazar tek Interi, nga ku kërkon të marrë dy nga titullarët më të mirë.
Kur drejtonte Mançester Junajtid, portugezi bëri gjithçka për të marrë Ivan Perisiç, por nuk ia doli. Tani, sipas shtypit anglez, Mourinjo dëshiron të ketë te Reali kapitenin e Interit, Mauro Ikardin, dhe mbrojtësin sllovak Milan Skrinjar. Pak ditë më parë Mourinjo refuzoi Benfikën, që do të thotë se ai ka në mendje vetëm Realin. Madje, që tani i ka bërë të ditur presidentit Florentino Perez cilët lojtarë duhet të ketë në grup për të përforcuar ekipin, që po kalon një moment shumë të vështirë.
Reali ka nevojë për një revolucion dhe lojtarët që do të vijnë në Madrid duhet të japin garanci. Për mbrojtjen, Skrinjar shihet si alternativa më e mirë, ndërsa për sulmin emri i Mauro Ikardit ka kohë që qarkullon në orbitën madrilene. Sigurisht që ky operacion i dyfishtë do të ketë një kosto të lartë financiare për Realin, por presidenti Perez ka vendosur të mos kursehet për ta kthyer ekipin në nivelin e duhur. Lëvizja e dy titullarëve të Interit drejt Spanjës bëhet e besueshme edhe nga fakti se asnjëri prej tyre nuk ka rinovuar me klubin zikaltër.