Papa Françesku anuloi të dielën pjesëmarrjen në tërheqjen shpirtërore gjashtë-ditore, e planifikuar në jug të Romës. Shkak është bërë një ftohje e Atit të Shenjtë, sipas Vatikanit.
Papa 83-vjeçar pësoi pati dy episode kolle, që e detyruan të largohej nga turma dhe të mbulonte gojën me duar gjatë një dite me erë dhe me re në sheshin “Shën Pjetër”.
“Fatkeqësisht, një ftohje më detyroi të mos merrja pjesë këtë vit”, tha Papa në fund të lutjes tradicionale, pasi u ndal edhe në krizën e shpërthyer të migrantëve në kufirin e Turqisë me Greqinë.
Tërheqja shpirtërore, një praktikë disaditore që ndjek kleri katolik, është në vetvete shkëputje nga jeta e përditshme dhe përkushtimi te lutjet drejtuar Zotit. Për vitin 2020, ajo nis sot.
Papa do të qëndrojë në shtëpi, ndërkohë që Italia po lufton me shpërthimin më të madh në Evropë të koronavirusit, që është përhapur nga Kina në çdo kontinent, përveç Antarktidës.
Numri i rasteve në Itali e tejkaloi 1 000 të shtunën dhe vijon të rritet.
Deri tani ka pasur 29 vdekje të konfirmuara dhe 105 pacientë në kujdes intensiv në spital – të gjithë në tre rajonet veriore pranë Milanos.
Vatikani i ka hedhur menjëherë poshtë spekulimet se nga koronavirusi mund të jetë prekur edhe vetë Papa.
“Nuk ka prova që të sugjerojnë një diagnozë të ndonjë gjëje tjetër përveç një ftohjeje të lehtë”, i tha një zëdhënës i Vatikanit AFP-së të dielën.