Një ditë pas sulmit të paprecedentë të Steven Zhang ndaj presidentit të “Lega Calcio”, Dal Pino, mbërrijnë reagimet dhe efektet e para. Prokuroria federale, e udhëhequr nga Giuseppe Chinè, menjëherë hapi një hetim, i cili mund të çojë në dënimin e numrit një zikaltër. Ndërkohë, Interi përpiqet të interpretojë dhe shpjegojë postimin e të së hënës në darkë të presidentit të tij, në të cilin ai tejkaloi etikën dhe e quajtu “klloun” Dal Pinon. Klubi nxjerr në pah angazhimin dhe preokupimin e madh të “Suning” dhe familjes “Zhang” në parandalimin e përhapjes së “Coronavirus” dhe thekson se “Steven kujdeset veçanërisht për shëndetin publik të të gjithë komunitetit, mbi gjithçka tjetër”.
“Të ndryshosh datat dhe të vendosësh gjithmonë në plan të dytë shëndetin publik. Me shumë mundësi je palaçoja më i madh që më kanë zënë sytë. 24 orë, 48 orë, 1 javë e çfarë tjetër? Si do të jetë hapi i radhës? Dhe vjen e flet për “fair play” dhe garë të ndershme. Ka ardhur koha që të marrësh përsipër përgjegjësitë e tua”, lexohej në postimin e Zhang.
Në fakt, presidenti zikaltër është shqetësuar nga indikacionet kontradiktore, nga ndryshimet e datave të ndeshjeve të prapambetura, nga dyert e hapura dhe të mbyllura të stadiumeve, të vendosura nga “Lega Calcio”. Më së shumti, “gjembi në mish” është supersfida Juventus-Inter, e cila po shkon drejt luajtjes me tifozë të hënën e 9 marsit. Me siguri, zikaltrit donin të luanin të dielën që kaloi, pa tifozë, në “Allianz Stadium”, sepse kështu mund të përfitonin. Kuptohet se ky ishte shkaku kryesor, që e shtyu Zhang të shpërthente në Instagram. Askush në Itali nuk ka sulmuar më parë në këtë mënyrë Ligën.