Irani i ka mbyllur të gjitha shkollat dhe ka ndërmarrë një varg masash, për të luftuar shpërthimin e koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë, Saeed Namaki, tha në një konferencë për media se të gjitha shkollat dhe universitetet do të mbeten të mbyllura deri më 20 mars.
Ai po ashtu njoftoi për ngritjen e pikave të kontrollit, për të kufizuar udhëtimet midis qyteteve të mëdha.
“Njerëzit nuk duhet ta konsiderojnë këtë si mundësi për të udhëtuar. Ata duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i marrin seriozisht paralajmërimet tona”, tha Namaki.
Këto masa vijnë pasi autoritetet kanë njoftuar se numri i njerëzve të vdekur në Iran nga COVID-19 – sëmundje që shkakton koronavirusi – ka arritur në 107. Në total, 3,153 njerëz janë të infektuar në Iran.
Koronavirusi është gjetur pothuajse në të gjitha provincat e Iranit, tha të mërkurën presidenti i këtij vendi, Hassan Rohani.
Shumë ekspertë druajnë se numri i vërtetë i të vdekurve dhe të infektuarve në Iran mund të jetë shumë më i lartë.