Kryesore Virusi me shumë të panjohura, shefi i Shërbimit të Mikrobiologjisë: Mund të...

Virusi me shumë të panjohura, shefi i Shërbimit të Mikrobiologjisë: Mund të jemi prekur, shumica e kalojnë si grip të lehtë

Fatmirësisht, Shqipëria është një vend i paprekur nga koronavirusi edhe pse situata është alarmante në Italinë fqinje.

Nga 53 të testuar deri në javën e parë të marsit, të gjithë kanë rezultuar të paprekur. Por a mund të ketë hyrë koronavirusi edhe në vendin tonë dhe nuk është izoluar si rast?

“3/4-tat e të sëmurëve me Covid-19 mund ta kalojnë pa shenja klinike. Në përputhje me algoritmin e publikuar, testohen të gjithë ata që janë të sëmurë. Nëse mund të ketë njerëz që nuk kanë shfaqur shenja klinike, kjo nuk përjashtohet, por të konfirmuar nuk ka asnjë”, shprehet Andi Koraqi.

Shefi i Shërbimit të Mikrobiologjisë, Andi Koraqi, tregon për A2 se Covid-19 është një virus i panjohur për shkencën. Askush nuk është imun ndaj tij, pavarësisht diskutimeve për rezistencë të shtuar në disa popullata apo nëse konsumojmë ushqime të caktuara.

“Është një shqiptar në Itali i prekur nga koronavirusi, kështu që nuk mund të themi një imunitet më të shtuar. Dikush i referohet sistemit të vaksinimit, të cilin ne e kemi shumë të mirë, por këto janë të gjitha hipoteza”, shprehet Koraqi.

Specialistët kanë arritur në përfundimin se Covid-19 është i ngjashëm me virusin e HIV, ndaj të infektuarit me koronavirus, në vendet e prekura, po trajtohen me ilaçet e HIV-AIDS.

Me ngrohjen e motit, pritet një ulje e infeksioneve respiratore dhe gripit, por nuk ka të dhëna të sakta, se si do të reagojë Covid-19 në pranverë. Sëmundja, me shumë të panjohura veç higjienës së shtuar kërkon dhe qetësi.