Prej më shumë se tre dekadash, mësues Zaim Thaçi ecën çdo ditë në këmbë nga qyteti i Kukësit në fshatin Gjinaj të Hasit për rreth 20 km vajte-ardhje për të dhënë mësim në shkollën 9 vjeçare “Sinan Gjini”. Në ditë me diell, shi por edhe kur dëbora arrin deri në gju sërish mësues Zaimi nuk ka munguar për t’iu dhënë mësim nxënësve të tij.
Ai mbërrin gjithmonë në kohë para nxënësve, dhe kur zilja e shkollës tingëllon ai është aty për të nisur orën e mësimit.
Mësues Zaimi tregon që niset herët nga shtëpia, rreth orës 06:00 si dhe përshkon çdo ditë rrugën në këmbë pasi nuk kanë transport, ai shton që nuk mund të përballojë udhëtimin me makinë private për shkak të kostos.
“Nga Kukësi dhe deri në shkollë këtu në Gjinaj është 10 km, me thënë të drejtën udhëtimin e bëjmë në këmbë sepse nuk kemi mjet transporti. Ndonjëherë udhëtojmë privatisht, por nuk e përballojmë dot koston ndaj ecim në këmbë”, tha Zaim Thaçi
Zaimi thotë se profesionin e mësuesit e ka bërë me shumë dashuri për rreth 38 vite dhe se nuk do ta ndërronte apo të hiqte dorë nga kjo punë.
“Unë kam 38 vite që punoj si mësues, ndërsa në Gjinaj bëj 17-18 vite që punoj”, tha Zaim Thaçi
Profesioni i mësuesit është një nga profesionet më të vlerësuara dhe të respektuara në mbarë botën, shpesh herë edhe sakrifikues. Edhe pse jemi në 2020 ka sërish mësues si Zaimi që i duhet të ecin me dhjetëra kilometra në këmbë për të dhënë mësim, ku i duhet të kthehen shpesh herë të lodhur e me këpucët e zhytura në baltë./Report Tv