Nga Dritan Hila
Një epidemi që shoqërohet nga karantina është më keq se lufta, për dy arsye thelbësore:
Së pari, nëse në luftë, armiku është i identifikuar dhe popullsia mobilizohet kundër tij, në raste epidemish kundërshtari është çdo fqinj yti, për mos thënë edhe familjar.
Së dyti ka të bëjë me shkallën psikologjike të ndikimit të epidemisë. Nëse një ose dy ditë izolim, përballohen, javë të tëra në izolim, shkaktojnë kriza psikologjike të cilat mund të shoqërohen me shpërthime.
Përveç kësaj është edhe problemi sesa janë në gjendje që strukturat shtetërore të përballojnë stresin dhe presionin.
Në rastin tonë, e vërteta është që shëndetësia nuk e ka aspak idenë se çfarë do të thotë përballimi i një epidemie të paprecedentë. ISHP-ja nuk është e aftë të përballojë protokollet dhe vetë ministrja në ato pak raste kur ka qenë pa kaseta të parapërgatitura, nuk duket se ka njohuri për lartësinë e postit.
Ndërkohë, Emergjenca Civile e cila duhet të jetë edhe koordinatorja e veprimtarive, mendon se është specializuar vetëm për raste përmbytjesh.
E vetmja strukturë që të lë përshtypjen se mund ta përballojë stresin e parë, ngjan policia. Por personeli i saj është tepër i vogël për të përballuar një problematikë që do përfshijë miliona.
Ushtria shqiptare, e cila ka për të qenë struktura që do ta menaxhojë në bashkëpunim me policinë, rendin, duket sikur është e ndonjë vendi tjetër. Asnjë njoftim nga Xhaçka, ndërkohë që nuk do të jetë e largët dita që situata e rënduar do të kërkojë personel shtesë.
Pavarësisht urdhrave të Ministrisë së Shëndetësisë, ata janë të vonuar dhe tejkaluar. Maskat dhe medikamentet e nevojshme për luftën ndaj epidemisë ka kohë që kanë fluturuar drejt Italisë. Ndërkohë që gjithë strategjia e kësaj ministrie ishte bazuar në bllokimin që do t’i bënte Italia të infektuarve, ka ardhur koha të mendojë me kokën e vet.
Kështu, është koha që të shpallet mbyllja e kafeneve dhe restoranteve. Kjo jo vetëm se shqiptarët e konsiderojnë karantinën si një lloj leje të zakonshme, por edhe për faktin se kushtet e higjienës, ku çfarëdolloj individi pa përgatitjen e duhur, ka hapur lokal, e bëjnë urgjente. Rasti i pacientit 1, tregoi papërgjegjshmërinë e këtyre individëve, ku përveç infeksionit të shtëpisë, kanë infektuar edhe lagjen ku banonin dhe zotëronin kafenenë.
Dyqanet dhe supermarketet duhet të instruktohen të bëjnë shërbim në shtëpi.
Gjithashtu pensionistëve, që janë edhe fasha më e rrezikuar nga virusi, por edhe më të dobët ekonomikisht, dhe si të tillë e kanë të nevojshme të bëjnë blerje përditë, t’iu akordohet një sasi mielli, makaronash, orizi, vaji, salce, në mënyrë që të mund të shtyjnë një muaj të mbyllur në shtëpi.
Çdo aktivitet jo i domosdoshëm, përjashto farmacitë apo supermarketet, duhet të mbyllet. Kjo duhet shoqëruar me një urdhër qeveritar që bllokon tatimet dhe qiratë.
E ndërkohe duhet të rritet ana represive. Fakti që pacienti 1, para se të izolohej, kishte bërë vara-vingo sa në një spital në tjetrin e në shtëpi, është fakt që tregon papërgjegjshmëri individi, që duhet shtypur me masa represive. Një gjendje e jashtëzakonshme me kompetenca shtesë për policinë dhe ushtrinë, do të ishte zgjidhje.
Gjithashtu nuk do të ishte keq që publiku të bombardohej me spote televizive që tregojnë për masat ruajtëse. Ajo që për shumë njerëz është normale, për të tjerë konsiderohet luks. Qoftë edhe larja e duarve.
Ne ende nuk e dimë se sa i përhapur është virusi në Shqipëri, por dimë që në kushtet tona me një sistem shëndetësor të keqpajisur dhe personel të pakët dhe patrajnuar, vetëm masa drastike do të ishin shpëtimi.
Pak shqiptarë e dinë kuptimin e shprehjes “Libër shtëpie”.
Ka qenë një fletore që në vitet e para pas lufte, i zoti i shtëpisë ishte i detyruar ta mbante dhe shënonte çdo ditë numrin e pjesëtarëve të familjes dhe vizitorëve apo bujtësve. Bëhej për qëllim që të kontrollohej lëvizja e popullsisë, por edhe për shkak që të frenonte përhapjen e malaries, sifilizit dhe sëmundjeve të tjera infektive. Dhe qeveria e kohës kishte vendosur këtë lloj karantine sui generis. Nëse një kontroll i befasishëm të gjente persona të pashënuar në libër, pasojat ishin të rënda.
Askush nuk thotë që t’i rikthehemi asaj lloj disipline. As karantinës së tipit kinez ku ushtria po të gjente në rrugë të mbërthente prej leckash e të çonte në qendra të ngritura për këtë punë. Por një bllokim i jetës publike për 20 ditë, është e vetmja shpresë. Dhe duhet aplikuar sa nuk është vonë./dritare.net