Sport Pezullohet edhe La Liga, Real Madrid në karantinë

Pezullohet edhe La Liga, Real Madrid në karantinë

Real Madrid është klubi i fundit nga futbolli që është infektuar nga Covid-19. Është konfirmuar nga vetë klubi madrilen se një nga pjesëtarët e stafit të ekipit të basketbollit ka dalë pozitiv ndaj koronavirusit.

Ekipi i basketbollit stërvitet në të njëjtin vend ku stërvitet dhe ekipi i futbollit. Kjo do të thotë se lojtarët dhe pjesëtarët e stafit kanë qenë në kontakt dhe mund të jenë infektuar nga virusi vdekjeprurës.

Sipas protokollit, të gjithë lojtarët duhet të izolohen për të paktën 14 ditë. Kjo do të thotë se ndeshja kundër Manchester City me shumë mundësi do të shtyhet.

Ndeshja e Championsit është planifikuar për t’u zhvilluar javën e ardhshme, por për të parandaluar përhapjen e virusit  ajo nuk do të luhet, sikurse edhe Juventus-Lyon.

Pezullohet edhe La Liga

Pasi një ditë më parë kishte vendosur t’i zhvillonte ndeshjet pa tifozë, Federata Spanjolle e Futbollit ka marrë vendimin e pezullimit të La Liga-s.

Po ashtu do të pezullohen edhe ndeshjet e futbollit në kategorinë e dytë dhe në ligat inferiore në Spanjë, si masë paraprake për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Deri tani, në Spanjë janë konfirmuar mbi 2200 raste me koronavirus, nga të cilët 55 persona kanë ndërruar jetë.