Koronavirusi ka ndërprerë edhe futbollin në Shqipëri. Pasi Federata vendosi dy ditë më parë që ndeshjet të zhvilloheshin me dyer të mbyllura, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit ka marrë sot vendimin e pezullimit të të gjitha aktiviteteve futbollistike.
Lidhur me të gjitha aktivitetet ndërkombëtare futbollistike, ku edhe Shqipëria është pjesëmarrëse, ditën e martë në orën 13:00, UEFA do të organizojë një video-konferencë me të 55 federatat anëtare për të marrë vendimin lidhur me ecurinë e të gjitha aktiviteteve futbollistike evropiane.
UEFA po bën të pamundurën që të shpëtojë Evropianin e vitit 2020 dhe të konfirmojë zhvillimin e turneut, në datat e përcaktuara.
Megjithatë, situata në rang global, rrezikon seriozisht që eventi më i rëndësishëm kontinental të mos zhvillohet. Ose minimalisht të ndryshojë plotësisht planet e UEFA-s. Për ta komplikuar këtë çështje ka ndërhyrë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, që shpalli gjendjen e pandemisë botërore.
Pas alarmit, përfaqësuesit e OBSH-së kontaktuan UEFA-n, për të diskutuar rreth hapave që mund të ndiqen. Problematika bëhet më serioze, edhe prej faktit se për herë të parë në histori, ky edicion i Kampionatit Evropian do të luhet në disa shtete.
Një telash jo i vogël, pasi COVID-19, tashmë, ka prekur shumë shtete evropiane, duke bërë që UEFA të përballet me kalendarët që po ndryshojnë thuajse në të gjitha ligat, ndërsa drejt bllokimit janë edhe dy evenimentet më të rëndësishëm për klube, Champions dhe Europa League.