Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi falenderoi mjekët që po japin kontributin e tyre në luftën kundër koronavirusit. Kryemadhi u shpreh në “Facebook” se për ta duhet të lutemi çdo ditë, mëngjes, drekë, darkë.
“Falenderimet dhe lutjet tona shkojnë edhe për të gjithë mjekët tanë që punojnë këtu në kushte shumë më të pafavorshme se kolegët e tyre në Evropë. Për mjekët e Shqipërisë nuk mjaftojnë vetëm duartrokitjet e orës 17:30, por të lutemi për shëndetin e tyre mëngjes, drekë, darkë, e në çdo kohë të shpresojmë që ata e familjarët e tyre të gjejnë forcën, për të përballuar ditët e vështira që kemi përpara. Zoti i bekoftë sakrificat tuaja!”
Në postim ajo përshëndeti dhe falenderoi edhe mjekët që janë jashtë Shqipërisë e që po luftojnë me COVID-19 në vendet e huaja.
“Kjo është doktoresha Silva Ruli Shameti, mjeke dhe mike e mirë që unë e dua shumë, e cila prej 3 javësh po shërben pa pushim në repartin e karantinës të spitalit të San Marino-s. Mendimet tona shkojnë jo vetëm për të, por për të gjithë mjekët shqiptarë që punojnë jashtë. Ata sot i ofrojnë siguri qytetarëve evropianë, por edhe pse në karantinë duke luftuar vetë me virusin, mendjen dhe shpirtin e kanë të lidhur me situatën në Shqipëri, për familjarët, miqtë e kolegët e tyre këtu.”