Kryeministri Edi Rama njoftoi shtrirjen e masave parandaluese të epidemisë në të gjithë territorin e vendit. Në një lidhje live nëpërmjet Facebook nga shtëpia e tij në Surrel, kreu i qeverisë tha se në ditët në vijim pritet rritja e numrit të të infektuarve.
“Java që vjen do të vijë me numra të rritur të infektuarish. Duhet të jemi të përgatitur që t’i presim rezultatet e testeve, që do të shtohen, pa asnjë panik. Unë s’jam pesimist, asnjëherë dhe as këtë herë, por nuk më lejohet të mos ju them të vërtetën, sado e papëlqyeshme të jetë, aq më tepër kur e vërteta lidhet me ju dhe familjet tuaja. Duhet ta dimë të vërtetën, ta pranojmë siç është dhe të jetojmë me të në vetëdije, aq më tepër gjatë kësaj lufte, që nuk do të jetë e shkurtër dhe do na bëjë të na duken ditët sa një shekull. Duhet të mbrojmë trupin tonë dhe të familjarëve e të miqve tanë, dhe të gjithë bashkë trupin e Shqipërisë”, tha Rama.
Sot hyn në fuqi Akti Normativ, që tregon masat speciale për luftimin e koronavirusit. Ndërkohë, të martën, perimetri i blinduar do njësohet me kufirin e Shqipërisë dhe e gjithë Shqipëria javën tjetër do të jetë siç ishin Tirana e Durrësi këtë javë.
“Durim, durim, durim. Do ia dalim dhe do ta mbajmë mend tërë jetën si një film horror dhe eksperiencë e jashtëzakonshme, që na plagosi rëndë, por na bëri më të fortë”, thotë Rama.