Ekonomi Biznesi i kërkon ndihmë qeverisë: Na mbështesni të mos biem në kolaps

Biznesi i kërkon ndihmë qeverisë: Na mbështesni të mos biem në kolaps

Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, ‘Biznes ALBANIA’ dhe shoqatat e biznesit në Shqipëri i drejtohen qeverisë me disa kërkesa, nëpërmjet përmbushjes së të cilave synohet përballimi i pasojave ekonomik-financiare të krizës epidemike.

Mes kërkesave drejtuar qeverisë është pezullimi i të gjitha taksave për 3 muaj, pezullimi i pagesës së sigurimeve shoqërore për 3-6 muaj, ngrirja e pagesave të energjisë dhe ujit, ngirja e gjobave për shkak të mosfunksionimit të gjykatave dhe ngrirja e kredive.

NJOFTIMI

Kërkesat drejtuar qeverisë për të ulur impaktin e COVID-19 në ekonomi.

1-Unioni i dhomave të tregtisë Biznes Albania dhe shoqatat e biznesit e vlerëson me pasoja të ndjeshme në ekonomi dhe në biznese situatën e Covid 19 në Shqipëri, dhe me pasoja të rënda sidomos për biznesin e vogël dhe të mesëm, biznesin e shërbimeve, sektorin e turizmit dhe fasonerisë etj!

2- Unioni i dhomave, Biznes Albania dhe shoqatat e biznesit mendojnë se qeveria duhet të angazhohet seriozisht për të përballuar pasojat ekonomiko- financiare të Covid 19!

Qeveria shqiptare duhet të kërkojë financime nga institucione financiare ndërkombëtare FMN Banke Botërore dhe institucione të tjera, nga Komisioni Europjan, për të ndihmuar dhe mbështetur bizneset private që mund të kolapsohen nga kjo situatë!

Disa propozime që adreson biznesi për qeverinë do të ishin:

-Të mos paguhen tatim-fitimi dhe tatimet e tjera për 3 muaj dhe të kompensohen nga shteti!

-Të mos paguhen sigurimet shoqërore për 3-6 muaj dhe të kompensohen nga shteti!

-Pagesat e energjisë dhe ujit të ngrijnë për 3-6 muaj varësisht nga kohëzgjatja e situatës.

-Gjobat e vëna biznesit nga institucionet tatimore dhe doganore, për shkak të mos funksionimit të gjykatave të ngrijnë për 3-6 muaj.

-Kreditë të mos paguhen për 3-6 muaj dhe gjatë kësaj kohe të ulen interesat në nivelin e euroriborit, ….pagesat pas 3-6 muaj të mos kenë penalitete!

Pagat e punonjësve të biznesve të mbyllura të paguhen në nivelin e raportit mjekësor nga sigurimet shoqërore!