Aktualitet Koronavirusi, po mijëra sirianët në Shqipëri kush i kontrollon?

Koronavirusi, po mijëra sirianët në Shqipëri kush i kontrollon?

Para se të gjitha vendet europiane të fillonin një nga një të mbyllnin kufijtë e tyre tokësorë e ajrore për shkak të koronavirusit, Turqia hapi për disa ditë portat e emigrantëve, duke i lënë ata që të vërshonin në drejtim të Greqisë dhe më pas Shqipërisë.

Autoritetet turke e morën këtë vendim më 28 shkurt edhe si formë presioni ndaj Bashkimit Europian dhe NATO-s që të mbështeste aventurën ushtarake që Recep Taip Erdogan kishte ndërmarrë në Sirinë Veriore.

Për rreth 10 ditë me radhë mijëra sirianë, afganë, kurdë dhe shtetas të tjerë të Lindjes së Mesme, por edhe të Afrikës Veriore që kishin ngecur për muaj me radhë në Turqi kaluan kufirin me Greqinë. Autoritetet greke deklaronin se 70 deri në 80 mijë refugjatë hynë në ditë nga kufijtë e saj tokësorë me Turqinë dhe qindra të tjerë vazhdonin të zbarkonin përmes varkave.

Përballë kësaj gjendjeje, autoritetet greke ndoqën rrugën e hapur për ata që kishin kaluar. Anulimi i ligjit të azilit, mbyllja e kampeve, si dhe synimi i refugjatëve për të shkuar më në Perëndim, kryesisht në Gjermani vunë në lëvizje mijëra persona që u dyndën në vendet fqinjë me Greqinë. Një pjesë e mirë e tyre hynë në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër.

Prej të paktën 26 shkurtit e deri në datën 10 mars janë thuajse të përditshme informacionet e Policisë së Shtetit me ndalimi refugjatësh sirianë, e deri tek ndalim shtetasish shqiptarë që kundrejt pagesave të majme u premtonin që t’i çonin në Shkodër, por në raste të caktuara i braktisnin në mes të rrugës, siç ndodhi me një grup prej tyre që u lanë mes të rrugës Fier-Vlorë.

Por, rastet aty-këtu të ndalimeve duket se janë vetëm maja e ajsbergut. Vetëm në 2018, mbi 4 mijë sirianë kërkuan azil në Shqipëri, ndërsa burime të Gazetës “Si” konfirmojnë se numri i refugjatëve nuk ka qenë i paktë. Bëhet fjalë për mbi 80 mijë sirianë që kanë hyrë në Shqipëri nga Greqia dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre është strehuar nëpër strukturat shtetërore, të tjerët janë endur rrugës në kërkim të largimit më pas për në Mal të Zi.

Për të përballuar këtë fluks refugjatësh Shqipëria bëri gati planin që me ndihmën e Bashkimit Europian të ndërtonte një kamp që do të strehonte 30 mijë veta. Por, me emergjencën e koronavirusit ndërtimi i këtij kampi dhe i gjithë problemi që mund të pasojë dyndja e refugjatëve në Shqipëri u la në harresë.

Megjithatë, në kushtet e një pandemie të shkaktuar nga koronavirusi i ri problematika e strehimit dhe sidomos kontrollit shëndetësor të tyre bëhet edhe më urgjente. Janë me mijëra refugjatë që aktualisht enden nëpër rrugët e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli si shtetëror, ashtu edhe shëndetësor.

Ndalimi dhe kufizimi i lëvizjes pak mund të vlejë për ata që kërkojnë prej kohësh të ëndrrën europiane. Por, të bllokuar në Shqipëri dhe me një numër të saktë që nuk dihet, por siç gazeta “Si” mëson është mbi 80 mijë, ata shndërrohen në një burim kërcënues serioz për përhapjen e koronavirusit.

Autoritetet tona sot e kanë të vështirë që të deklarojnë vendndodhjen se ku jetojnë këta refugjatë, e kanë të vështirë që të kontrollojnë lëvizjet e tyre, ndërsa për kontrollin shëndetësor në këto kushte është një mision pothuajse i pamundur.

Në Tiranë, Durrës, Fierit, Elbasan, apo qyteteve të tjera të mëdha të vendit janë me qindra refugjatë që lëviznin e lëvizin lirshëm nëpër rrugë. Që të gjithë me misionin për t’u larguar në drejtim të Shkodrës dhe përmes saj për në Mal të Zi, e më tutje në drejtim të vendeve të BE-së.

Një pjesë e tyre mund t’ia kenë dalë, por pjesa tjetër mbetet e bllokuar në vendin tonë, edhe për shkak të ndalim-qarkullimit të mjeteve për pasagjerë, një prej masave të ndërmarra nga Qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Megjithatë, as gjendja e shtetrrethimit nuk i ka stepur nga rrugëtimi drejt Bashkimit Europian. Vetëm një ditë më parë, policia njoftoi kapjen e shtatë sirianëve në Rrugën e Kombit, që si drejtim kishin Kosovën dhe më pas për t’u hedhur në vendet e BE-së. Policia tha se i kishte shoqëruar në komisariat dhe më pas do t’i transferonte për në gjendjen e pritjes së emigrantëve në Babrru të Tiranës.

Gazeta “Si” mëson se kjo qendër është e mbushur përtej kapaciteteve që ofron dhe shpesh shkelet edhe perimetri i sigurisë. Burime të Gazetës sqarojnë se janë me dhjetëra rastet kur refugjatë që kanë qenë të strehuar aty janë “zhdukur” prej andej pa lënë asnjë gjurmë./Gazeta Si