Kryesore Rama: Kush nuk paguan, nuk do të ketë drita

Rama: Kush nuk paguan, nuk do të ketë drita

Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e së mërkurës një mbledhje me ministrat që janë titullarë të institucioneve që lidhen drejtpërdrejt me situatën që po kalon vendi. Mbledhja u zhvillua me ministrat Arben Ahmetaj, Anila Denaj, Ogerta Manastirliu, Olta Xhaçka dhe Sandër Lleshaj.

Në këtë mbledhje, Rama theksoi se “dritat do të paguhen patjetër” gjatë kësaj periudhe.

“Nuk mund të hyjmë në situatë krize në sektorin e energjisë nga e para. Nëse nuk paguhen, dritat do të priten. Këtu nuk është bërë deti kos. Mospagesa e dritave çon në efekt negativ në gjithë hallkat dhe mund të përfundojmë në kolaps pastaj. Pagesa e dritave nuk negociohet. Kush thotë se nuk kam mundësi se shpenzoj shumë, të shpenzojë më pak, të kursejë dritat dhe të paguajë më pak”, deklaroi Rama.

Më tej, kryeministri kërkoi nga ministrat që “pensionistët kryefamiljarë, në çift ose vetëm, duhen shërbyer nga ne”, ndërsa “të tjerët duhen ndihmuar nga fëmijët që i kanë në të njëjtin qytet”.

“Policia duhet të kthejë nga rruga pensionistët, nuk duhet të ketë asnjë tolerim”, nënvizoi Rama.