Italia dhe e gjithë shëndetësia botërore humbi mëngjesin e kësaj të premteje, një nga emrat më të njohur dhe më të mirë të fushës së mjekësisë kardiovaskulare.
Prof.dr. Maurizio Galderisi vdiq mëngjesin e sotëm në spitalin e Cotugnos në Napoli për shkak se ishte prekur nga koronavirusi. Profesori i famshëm i mjekësisë italiane dhe asaj botërore ishte intubuar prej ditësh për shkak të përkeqësimit të situatës.
Përveçse i specializuar në mjekësinë interne dhe kardiovaskulare për të cilën jepte mësim prej vitesh në Universitetin e Napolit, profesor Galderisi mbante edhe postin e zv.presidentit të shoqatës europiane të imazheve kardiovaskulare.
Shoqata italiane e kardiologjisë në një reagim tha se mjekësia e këtij vendi dhe fusha e kardiologjisë në të gjithë botën humbi një nga emrat më të mirë të dy dekadave të fundit i cili shërbeu si inovator për përmirësimin dhe avancimin e teknikave për ndërhyrjet në fushën e kardiologjisë. COVID 19 është treguar i pamëshirshëm me mjekët në Itali pasi deri të premten pasdite regjistroheshin 46 bluza të bardha të vdekura.