Bota Romë, përplasje Kishë-Bashki për monedhat e shatërvanit Trevi

Romë, përplasje Kishë-Bashki për monedhat e shatërvanit Trevi

Midis kryetarit të Bashkisë së Romës dhe Kishës Katolike kanë shpërthyer mosmarrëveshje mbi monedhat e hedhura në shatërvanin Trevi, prej së cilës grumbullohen pothuajse 1.5 milionë euro çdo vit.

Është e zakonshme që paratë të shkojnë në organizatën humanitare katolike Caritas për të ndihmuar të varfërit, por kryetarja e Bashkisë Virginia Raggi tani dëshiron që me këto para të riparojë infrastrukturën e shkatërruar të qytetit.

Caritas thotë se humbja e këtyre të ardhurave do të godasë të varfrit.

“Ne nuk e kemi menduar këtë. Unë ende shpresoj se ky nuk është një vendim përfundimtar”, tha Benoni Ambarus nga Caritas.

Por autoritetet e qytetit kanë miratuar tashmë planin e kryetares, i cili duhet të kryhet në prill.

Megjithatë, shumë italianë kanë kërkuar përmes rrjeteve sociale që ky vendim të rishqyrtohet.

Virginia Raggi, nga Lëvizja Pesë Yje, u bë kryebashkiake e Romës në vitin 2016.

Popullariteti i saj është në rënie, sepse nuk arriti të zgjidhë problemet e qytetit.

Në tetor të vitit të kaluar, mijëra njerëz u mblodhën para Asamblesë së Qytetit për të shprehur pakënaqësinë e tyre se problemet si plehrat e grumbulluara dhe rrugët e këqija nuk janë zgjidhur.

Shatërvani Trevi, i cili është pothuajse 300-vjeçar, vizitohet miliona turistë çdo vit.