Aktualitet Si iu shpëtoi 15 aksioneve policore Klement Balili?

Si iu shpëtoi 15 aksioneve policore Klement Balili?

Emri i Klement Balilit në botën e krimit u bë i njohur vetëm në vitin 2016. Në rrethin e politikës ai njihej si një biznesmen dhe që shpesh kishte bërë sponsorizime në burime financiare dhe njerëzore në fushatat elektorale.

Për të shpërblyer rezultatin, Balili u bë drejtor i Transporteve. Në 11 maj 2016, policia greke  përmendi emrin e Klement Balilit si kreu i një rrjeti të trafikut të drogës, i ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit”. Autoritetet fqinje thoshin se ai lëvizte i lirë në Sarandë, ku ishte emëruar drejtor i Transporteve.

Që nga ajo kohë, Klement Balili ka mundur që t’i shpëtojë arrestimit të policisë në të paktën 15 aksioneve. I akuzuari për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike ka luajtur me shtetin si macja me miun dhe në fund ai pranoi që t’iu dorëzohet autoriteteve shqiptare. Arrestimin e tij, policia e cilësoi si një sukses.

Më 12 maj të po të atij viti, policia shqiptare tha se po kryente një hetim në lidhje me Balilin dhe se kishte qenë pjesë e një aksion për arrestimin e tij, por që nuk u arrit kurrë.

Në fund të muajit tetor 2016 uniformat blu kishin marrë informacion se Balili do të kalonte me një automjet në qafën e gjashtës, në hyrje të qytetit të Sarandës. Për kapjen e tij, është nisur nga Tirana një grup i forcave të posaçme operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, duke shmangur përfshirjen e policisë lokale për shkak të frikës së dekonspirimit të operacionit.

Megjithatë pas ndjekjes dhe ndalimit, brenda  automjetit të dyshuar, forcat operacionale nuk kanë gjetur Klemend Balilin, por vetëm 2 persona të afërm të tij.

Sipas burimeve, informacioni për lëvizjen e Balilit në këtë aks, rreth 6 javë më parë ka qenë tepër i saktë, por dështimi i ndalimit të tij ka hedhur dyshime për dekonspirim të operacionit pasi ai mund te jetë vënë në dijeni.

Më 5 dhjetor të 2016 në Shqipëri mbërriti dosja me 10 mijë faqe, ku pasqyrohej i gjithë aktiviteti kriminal i Balilit. Gjatë kësaj kohe, politika vazhdonte me akuza dhe kundër akuza me lidhjet që kreu i Transportit kishte me njerëz të rëndësishëm.

Më 8 dhjetor 2016 rreth 200 policisë zbarkuan në banesën e Balilit, por që nuk e gjetën.  Vëllai  i tij thoshte se Klementi ndodhet në Tiranë, ndërsa në kryeqytet u fol se aksioni ishte dekonspiruar. Në tetor 2018, Policia e Shtetit rrethon Sarandën sepse kishte informacione se Balili ndodhej atje. Në këtë kohë, FNSH bëri kontrolle në banesat e të afërmeve të Balilit ne fshatin Stjar të Sarandës sepse pati informacione që ai fshihej atje. Por edhe këtë herë, operacioni dështoi.

Ndërkohë, aksionet për arrestimin e tij nuk u ndërprenë kurrë, ndonëse dështuan të gjithë dhe u përfol për dekonspirim informacioni.