Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë të ditur lajmin se, USAID Albania në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë do t’u ofrojnë ndihmë autoriteteve shqiptare të shëndetësisë në luftën kundër pandemisë së COVID-19.
“USAID po ndihmon Shqipërinë për furnizimin e laboratorëve me pajisje testimi, për rritjen e mundësive të zbulimit të rasteve pozitive dhe të gjurmimit të kontakteve të rasteve, si dhe për masa të tjera”, bëhet e ditur nga ambasada.
Kjo ndihmë ofrohet në vijim të një partneriteti prej dekadash. Gjatë 20 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë investuar në Shqipëri mbi 51.8 milionë dollarë në fushën e shëndetësisë, dhe mbi 693 milionë dollarë në total.