Një tigër 4-vjeç në kopshtin zoologjik “Bronx” të Nju Jorkut është zbuluar pozitiv me koronavirus.
Tigri i quajtur Nadia besohet se është rasti i parë i njohur tek kafshët që infektohet nga një njeri që ishte i prekur nga Covid-19.
Kopshti zoologjik tha se rezultati i testit u konfirmua nga Laboratori Kombëtar i Shërbimeve Veterinare në Lowa.
Nadia, së bashku me dy tigra të tjerë dhe tre luanë afrikanë, mendohet se janë infektuar nga një roje i kopshtit zoologjik.
Macet e mëdha filluan të shfaqin simptoma, duke përfshirë një kollë të thatë, në fund të muajit të kaluar pas kontaktit me rojen, i cili ende nuk është identifikuar.
“Ky është rasti i parë në botë që mësohet se njeriu mund të infektojë kafshën”, tha të dielën Paul Calle, shefi veterinar i kopshtit zoologjik.
Ai tha se tani po synon të ndajë zbulimet e tij me kopshtet zoologjike dhe institucionet e tjera që merren me studimin e transmetimit të Covid-19.
“Ne e testuam tigrin dhe pretendojmë të marrim çdo të dhënë në lidhje me Covid-19 dhe gjithashtu të kontribuojmë aq sa mundim për njohjen e këtij virusi”, thuhet në një deklaratë të kopshtit zoologjik.
“Kafshët që u shfaqen me simptoma të Covid-19, pritet të shërohen plotësisht”, citohet nga deklarata.
Tigrat dhe luanët kishin fillimisht mungesë oreksi, por tani nën kujdesin e stafit veterinar gjendja e tyre është përmirësuar, ata janë vigjilent dhe shumë bashkëveprues me rojet e tyre.
Kopshti zoologjik deklaroi se ende nuk dihet se si mund të zhvillohet virusi në kafshë të ndryshme, pasi tigrat dhe luanët janë specie të ndryshme dhe mund të reagojnë në mënyrë krejt tjetër ndaj infeksioneve të reja, megjithatë të gjitha kafshët e tjera në kopsht do të monitorohen nga afër.