Në Itali ka fituar një titull, një Kupë UEFA dhe një Superkupë me Interin, por edhe një titull kampion bote me Gjermaninë. Andreas Brehme, tani 59 vjeç, shënoi me penallti golin vendimtar në finalen e 8 korrikut 1990 kundër Argjentinës, në “Olimpico” të Romës. E konsideron Italinë si shtëpinë e dytë dhe dëshiron ta ndihmojë në këtë moment të vështirë.
Ish-mbrojtësi i majtë ka nxjerrë në ankand dy topa të koleksionit të tij privat, që i përkasin vitit 1990. Njëri nga këta topa është “Etrusco”, topi zyrtar i Kupës së Botës, por një prodhim special me dizenjo të kuqe. Kampionët gjermanë të asaj kombëtareje, mes të cilëve Lotar Mateus, Rudi Fëler dhe trajneri Franc Bekenbauer kanë autografuar topin e Botërorit. “Kjo që po ndodh në Itali për shkak të koronavirusit, është e tmerrshme, më trishton jashtëzakonisht shumë. Shpresoj të kalojë sa më parë të jetë e mundur”, – thotë Brehme.
Me anë të fondacionit bamirës të të përditshmes “Bild”, “Ein Herz für Kinder” (një zemër për fëmijët), Brehme ka nxjerrë në ankand dy kujtimet e tij. “Kam shumë miq në Itali: Xhovani Trapatoni, Bepe Bergomi, Havier Xaneti e shumë të tjerë, jemi shumë të lidhur nga koha e Interit, ku kam luajtur nga 1988-a, në 1992-shin. Kam një raport të ngushtë me Italinë dhe njerëzit e saj. Më ka prekur situata e krijuar nga koronavirusi dhe doja t’i ktheja diçka nga ajo që më është dhënë”, shton Brehme.
Ankandi është i hapur për 28 ditë. Për momentin ai ka mbledhur 4000 mijë euro. Pastaj, që shuma e mbledhur të shkojë në Itali, duhet një kërkesë e një enti që është në vështirësi nga drama e Covid-19.