Aktualitet Koronavirusi në Shqipëri: 7 raste të reja në 24 orët e fundit,...

Koronavirusi në Shqipëri: 7 raste të reja në 24 orët e fundit, 416 në total

Ka shkuar në 416 numri i të infektuarve në vendin tonë, nga 3885 teste të kryera në total. Në një deklaratë për mediat, Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 7 raste të reja të prekur me koronavirus nga 162 teste të kryera.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 162 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 7 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 3385 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 416 raste. Duke ndjekur ecurinë e këtij infeksioni, në grafikun e shpërndarjes së rasteve të dyshuara dhe të konfirmuara me SARS-COV2 sipas ditëve, vihet re një trend i qëndrueshëm i rasteve të konfirmuara.”

Covid-19 deri më tani u ka marrë jetën 23 personave, ndërsa 182 janë shëruar.

Në spitalin Infektiv, Covid 1, aktualisht ndodhen të shtruar 50 pacientë, 6 në terapi intensive dhe 1 i intubuar, ndërsa në spitalin Covid 2, “Shefqet Ndroqi”, ndodhen të shtruar 6 pacientë, 4 të intubuar. Në dy spitalet Covid aktualisht po marrin shërbim 56 pacientë.

“Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor. Gjatë 24 orëve të fundit, 17 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 182. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 50 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive, dhe 1 pacient është i intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej, ndërsa 4 pacientë janë të intubuar”.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 3 raste, Shkodër 4 raste.

Ministria e shëndetësisë vijon të bëjë thirrje qytetarëve për të respektuar rregullat dhe masat e marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së virusi.