Kryesore Japonia do i japë falas Shqipërisë dhe Kosovës ilaçin efektiv kundër CoVid-19

Japonia do i japë falas Shqipërisë dhe Kosovës ilaçin efektiv kundër CoVid-19

Qeveria japoneze do të ofrojë falas për Shqipërinë ilaçin Avigan që po përdoret tek pacientët me Covid-19 nga disa vende dhe po jep rezultate pozitive.

Lajmi është konfirmuar zyrtarisht dhe theksohet se Shqipëria është në listën e 20 shteteve që do të ndihmohet në këtë periudhë të vështirë ku Covid-19 ka “pushtuar” botën duke marrë mijëra jetë.

Ndërkohë mësohet se ka nisur bashkëpunimi dhe është në diskutime me qeverinë shqiptare, për të siguruar ilaçin Avigan edhe për vendin tonë përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) raportojnë mediat ndërkombëtare.

Provat klinike që ka përdorur vendi i Lindjes së Largët janë ende në vazhdimësi, por përdorimi i saj është kryer tek personat me koronavirus në disa qytete në Kinë.

Medikamenti Avigan ose siç njihet dhe me emrin Favipiravir, i zhvilluar nga Fujifilm, është përdorur tek pacientët me Covid-19 dhe ka dhënë rezultate inkurajuese në provat klinike tek pacientët në Wuhan dhe Shenzhen.

Pacientët të cilëve u është dhënë medikamenti në Shenzhen u negativizuan ndaj virusit pas mesatarisht katër ditësh, në ndryshim ndaj pacientëve të cilët nuk i janë nënshtruar këtij mjekimi, të cilët rezultuan negativë pas mesatarisht 11 ditësh.

Kështu, Japonia ka zgjedhur 20 vende të cilave Avigan do t’i ofrohet falas, ku përfshihen Shqipëria, Bullgaria, Gjeorgjia, Estonia, Indonezia, Irani, Qipro, Kosova, Luksemburgu, Moldavia, Myanmar, Emiratet e Bashkuara Arabe, San Marino, Arabia Saudite, Serbia, Sllovenia, Turqia, Hungaria, Ukraina dhe Republika Çeke.