Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 41 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.
Në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, konkretisht: E. Q. dhe R. B., të dy banues në Tiranë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse të drejtimit; A. G., banues në Tiranë, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe pa autorizim lëvizjeje, si dhe i ka paraqitur punonjësve të Policisë mjetin e identifikimit të një shtetasi tjetër.
Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 262 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Është dënuar me masë administrative 700.000 lekë, shtetasi O. A., banues në Lushnjë, pasi ka ardhur nga një vend i prekur nga COVID-19 dhe ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit, duke dalë jashtë ambienteve të banesës.
Në Durrës janë arrestuar në flagrancë, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasit O. P. dhe M. P., banues në Durrës, pasi kur punonjësit e Policisë u kanë kërkuar autorizimin e lëvizjes, të cilin ata nuk e kishin, dhe më pas mjetin identifikues për plotësimin e masës administrative, këta shtetas nuk kanë pranuar dhe i kanë fyer dhe kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 6 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 5 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.
Në Kukës është proceduar penalisht shtetasi D. K., banues në Bajram Curri, pasi në këtë qytet u konstatua i hapur lokali i tij, i cili ishte i papajisur me NIPT.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.