Bota SHBA më e prekura nga koronavirusi, por situtata po përmirësohet

SHBA më e prekura nga koronavirusi, por situtata po përmirësohet

Janë mbi 165 000 viktimat e koronavirusit në botë, ndërsa numri i të infektuarve i ka tejkaluar 2,4 milionë.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur me 41 000 vdekje dhe rreth 760 000 raste. E megjithatë, Presidenti amerikan Donald Trump pretendon se Shtetet e Bashkuara po shënojnë progres në luftën kundër koronavirusit, ndërsa kujtoi se 4,18 milionë persona u janë nënshtruar deri më tani testeve: “Gjëra të mrekullueshme po ndodhin dhe ne do të fillojmë të rihapim vendin”.

Zëvendëspresidenti Mike Pence, i cili drejton task forcën kundër pandemisë, tha më vonë se Presidenti do të vazhdojë të inkurajojë guvernatorët të gjejnë mënyrat për të lejuar amerikanët që të kthehen në punë.

Të enjten, kreu i Shtëpisë së Bardhë prezantoi një plan me tre faza për rihapjen e aktivitetit ekonomik e social, ndërsa protestat kundër izolimit sa vijnë e po shtohen në vend. Janë guvernatorët ato që thonë fjalën e fundit për rihapjen, por 29 prej 50 shteteve thuhet se janë gati të rinisin.

Nga shteti më i prekur i Nju Jorkut vijnë lajme më pozitive, me guvernatorin Andrew Cuomo që tha se e kishin kaluar pikun e pandemisë. Cuomo njoftoi gjithashtu të dielën se autoritetet kanë në plan të testojnë mijëra banorë për antitrupa ndaj Covid-19, në mënyrë që shkencëtarët të përcaktojnë numrin e infektimeve të mundshme në këtë shtet.