Kërkuesja shkencore shqiptare Detina Zalli e cila është edhe pedagoge në Universitetin e Oksfordit ka bërë me dije se sot në Britani do të nisë eksperimentimi i një vaksine kundër Covid-19 nga një prej grupeve më të mira shkencore.
Në një intervistë me mediat shqiptare, ajo ka ndarë të rejat e fundit nga shkenca në lidhje me pandeminë, duke theksuar se vaksina do të dojë një vit kohë për t’u prodhuar për përdorim të gjërë.
“Sot fillon testimi i vaksinës, është një nga grupet më të mirë shkencor që do të merret me provat e kësaj vaksine. Deri tani janë rekrutuar 510 persona të moshave të ndryshme, nga 18 deri në 55 vjeç. Deri në pak orë besoj do të mësojmë nëse vaksina do të jetë efikase apo jo. Por, një tjetër gjë është mësimi i rezultateve dhe tjetër gjë ideja se mund të jetë e disponueshme për popullsinë e gjerë. Kjo mund të marrë rreth një vit kohë”, u shpreh Zalli në një intervistë për “ABC News”.
Ajo hodhi poshtë edhe raportet se ky koronavirusi Sars-Cov2 është prodhuar në laborator, duke thënë se ka origjinë natyrore.
“Nëse hartojmë pemët familjare të këtij virusi dimë që kjo rrjedh nga viruset që qarkullojnë në natyre dhe nuk ka lidhje me shpikjet laboratorike. Nëse shikojmë sekuencën është 97% identik me viruset që ndodhen në lakuriqet e natës, ndërsa 3% ndryshim është evolucioni në natyrë që ka kaluar nga lakuriqi i natës tek një kafshë tjetër dhe më pas te njerëzit”, u shpreh ajo.
E pyetur a ngjan ky virus me HIV, siç pretendoi një nga fituesit e Çmimet Nobel disa ditë më parë, Zalli tha se: Ka homologji edhe me HIV, por nuk mund ta shpikin shkencëtarët në laborator, pasi genomi futet në kompjuter dhe të tregon se cili pjesë e virusit duhet ndryshuar për të infektuar qelizat e njerëzve më shumë. Dhe sekuencat në kompjuter nuk dallohen.
Shkencëtarja shqiptare bëri me dije se një grup shkencor kinezësh ka shpjeguar se COVID-19 ka ndryshuar kodin gjenetik dhe ka të paktën 30 variacione të ndryshme gjenetike të virusit. “Shkencëtarët kanë analizuar 11 lloje të koronavirusit nga pacientë të ndryshëm dhe rezultatet tregojnë që disa nga llojet e mutacioneve të virusit janë shumë më agresiv se të tjerët. Disa mutacione ishin në gjendje të gjenereonin 270 herë më shumë ngarkesë virale dhe kjo mund të shpjegojë se përse disa kalojnë në pneumoni dhe disa të tjerë jo”, përfundoi ajo.