Politika “Zgjedhorja”, Rama: Më vjen keq që duhet akoma të ketë ambasadorë që...

“Zgjedhorja”, Rama: Më vjen keq që duhet akoma të ketë ambasadorë që hyjnë e dalin në seli partish

Për herë të parë që pas fillimit të pandemisë së Covid-19, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me gazetarët jashtë ambienteve të spitalit të ri të ngritur për të infektuarit nga Covid-19.

Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me situatën aktuale të pandemisë, por nuk munguan as pyetjet politike.

I pyetur lidhur me kërkesat e opozitës për të arritur një Reformë Zgjedhore, Rama tha se mazhoranca i ka bërë detyrat e saj, por janë të hapur për të arritur në një marrëveshje me palët.

“Për sa i përket Reformës, unë i kam thënë ato që kam pasur për të thënë. Është shumë e thjeshtë, ka një sugjerim të kthyer në një kërkesë që nga Bundestagu është përfshirë në dokumentin e Këshillit për një Reformë Zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Ne jemi të hapur deri në fund për çdo gjë, por duke qenë se në këtë proces për të ndihmuar janë përfshirë dhe partnerë e miq të Shqipërisë, nuk dëshiroj të bëj komente para se të flasin dëshmitarët. Unë kam diturinë e plotë dhe këndvështrimin tim mbi ecurinë, por ajo që na duhet është të bëjmë sa më pak polemika ‘e lagu se lagu’ dhe të përpiqemi për një produkt sa më të mirë. Nga ana jonë është produkti. i plotëson të gjitha kushtet…”.

Rama tha se ndihet i keqardhur që duhet ndërhyrja e ambasadorëve për të mundësuar një marrëveshje për Reformën, e cila sipas tij do duhej të ishte bërë prej kohësh.

“Më vjen keq që në Shqipëri, në vitin 2020, duhet akoma të ketë ambasadorë që hyjnë e dalin në seli partish për të bërë marrëveshje apo diskutim për marrëveshje të përbashkët. Mendoj se do duhej prej kohësh ta kishim bërë vetë këtë, por duke qenë se palët e tjera kanë nevojë për këtë element edhe për të pasur garanci, edhe për të pasur nuk e di se çfarë,  nuk ka problem, unë jam mirënjohës miqve që janë përpjekur të ndihmojnë…”