Teksa të gjithë e kanë mendjen te politika, bizneset shqiptare po mendojnë seriozisht të largohen nga Shqipëria
Mark Babani, i cili prej 21 vjetësh operon në industrinë e përpunimit agro-ushqimor, është gjendur përballë vështirësive, pasi plotësimi i kuotave vjetore të eksportimit të peshkut të konservuar, nuk i mundëson të punojë me kapacitet të plotë dhe as të zgjerohet më tej.
Fabrika e tij, “Mare Adriatica” numëron rreth 400 punëtorë dhe në planet e tij të afërta ishte ndërtimi i një fabrike të dytë në vend me të njëjtën numër punëtorësh. Prej kushteve të krijuara në vend me kuotat, zoti Babani e ka të vështirë që të operojë në vend me fabrikën që ka. Tashmë ai po shqyrton ofertat që po i jepen nga rajoni.
Për Monitor, zoti Babani deklaroi se ka marrë oferta tunduese nga Maqedonia dhe aktualisht është në bisedime për të ngritur atje kompaninë e dytë.
Çfarë ka ofruar vendi fqinj?
Së pari i kanë siguruar kuotat e mjaftueshme për të eksportuar në Europë pa taksa doganore. Së dyti i kanë ofruar falas ndërtesën ku ai mund të kryejë investimet kapitale për të ngritur fabrikën e dytë dhe së fundmi deri në 200 mijë euro subvencione për 100 të punësuar në fabrikë.
“Duke mos parë asnjë zgjidhje të situatës në Shqipëri, nuk shikoj asnjë mundësi tjetër përveç shpërnguljes në rajon”, tha Mark Babani. Fillimisht ai synonte Malin e Zi, për shkak të afërsisë, por pas lehtësive që i janë ofruar po shqyrton dhe Maqedoninë.
Problemi me kuotat
Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë pa taksa drejt Europës rreth 1600 ton peshk të përpunuar, açuge të konservuar. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, vjet, kuotat e eksportit u përmbushën që në gusht, ndërsa këtë vit parashikohet kuotat të përmbushen që në korrik. Pas plotësimit të kuotave produktet taksohen me 25% të vlerës, duke rritur ndjeshëm kostot. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore. Momentalisht ato kanë operuar duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane çdo kategori produkti do të taksohet.
Kërkesa e industrialistëve shqiptar është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend. Sipas zotit Babani, mungon forca e argumentit nga pala shqiptare për të zgjeruar kuotat, në një kohë kur vendet e Magrebit mund të eksportojnë drejt Europës pa taksa.
Kompanitë e huaja që zgjodhën Maqedoninë
Johnson Controls DOOEL, një ndër më të mëdhatë në botë për prodhimin e pjesëve të automjeteve ka pasur interes për të hyrë në tregun shqiptar, por është tërhequr për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar dhe kostove më të larta. Në Maqedoni ajo ka hapur dy fabrika me mbi 3 mijë të punësuar dhe në vitin 2015 realizoi një xhiro vjetore prej 1.2 miliardë euro, sipas të dhënave rajonale të publikuara nga See Neës, duke pasur një xhiro katër herë më të lartë se kompania më e madhe shqiptare.
Vetëm eksportet e katalizatorëve në Maqedoni, që prodhohen nga Johnson Control janë rreth 1.2 miliardë euro, ndërsa në Shqipëri, eksportet në total janë rreth 1.8 miliardë euro.
Lear Corporation, një tjetër kompani amerikane, në fund të vitit të kaluar hapi fabrikën e saj të parë në Zonën Industriale të Tetovës në Maqedoni dhe të dytën në vend, pas asaj të Gostivarit që ka 300 të punësuar. Prodhuesi amerikan i tekstileve në industrinë e automobilave ka investuar 15 milionë euro në këtë fabrikë dhe fillimisht ka punësuar 520 persona, ndërsa synon të punësojë deri në 3,000 persona. Lear Corporation është sërish një nga kompanitë që ka shfaqur interes për të hyrë edhe në tregun shqiptar, por më pas vendosi të hyjë në Maqedoni, ndonëse Shqipëria ka pozicion më të favorshëm gjeografik. Mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore në Shqipëri, por edhe tërheqja e zonave të lira industriale në Maqedoni duken arsyet kryesore që e bindën Lear Corporation të investonte në shtetin fqinjë.
Edhe kompania amerikane prodhimit të airbegave për makinat, CapCon, pasi dështoi në Shqipëri për të gjetur krahun e kualifikuar të punës, zgjodhi Maqedoninë. Në vitin 2015 kompania ka investuar 18 milionë euro dhe ka hapur 400 vende të reja pune atje.