Situata me pandeminë e Covid-19 është përmirësuar në Europë, por në rang global ajo është në përkeqësim, paralajmëron kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Më shumë se 100 mijë raste të reja janë raportuar në 9 prej 10 ditëve të fundit. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 136 mijë të tilla. Gati 75 përqind e infektimeve janë në 10 vende, shumica e të cilave në dy Amerikat dhe Azinë jugore”, tha kreu i OBSH-së.
Gebrejesus përmend si shqetësuese situatën në Afrikë, ku rastet po rriten edhe në zona të reja. Vihet re shtimi i infektimeve edhe në Europën lindore dhe disa shtetet të Azisë qendrore. Për drejtorin e programit të emergjencave shëndetësore në OBSH, Michael Ryan, situata pandemike është më e ndërlikuar në Amerikën qendrore dhe jugore.
”Ajo që po shohim nga Meksika deri në Kili është një model në zgjerim përreth Amerikave, kryesisht Amerikës Latine, me disa përjashtime. Është vërtet shqetësuese dhe nevojitet një lidership i fortë për të vënë situatën nën kontroll”, deklaroi Ryan.
OBSH u bën thirrje shteteve rreth botës të tregojnë vigjilencë maksimale, veçanërisht sa i përket grumbullimeve masive duke u kërkuar protestuesëve të respektojnë masat e distancimit social e mbajtjes së maskave.
Ndërkaq, sipas një studimi të Kolegjit mbretëror të Londrës, masat e izolimit kanë shpëtuar më shumë se 3 milionë jetë njerëzish në Europë. Pa kufizime, bilanci i vdekjeve nga koronavirusi do të kishte qenë shumë më lartë, thonë shkencëtarët britanikë.
Por ata paralajmërojnë se vetëm një numër i vogël i popullsisë globale është infektuar dhe se jemi ende në fillimet e pandemisë.