Politika PD: Prokuroria na dha të drejtë, t’i hiqet mandati kryetarit të Bashkisë...

PD: Prokuroria na dha të drejtë, t’i hiqet mandati kryetarit të Bashkisë Mat

Partia Demokratike kërkoi heqjen e mandatit të kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj, pasi rezulton i dënuar me 10 muaj burg për armëmbajtje pa leje dhe si pasojë preket nga ligji për dekriminalizimin.

Duke publikuar një vendim të Prokurorisë së Përgjithshme, sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, tha se Malaj është kryebashkiak i paligjshëm.

“4 muaj më parë PD, i kërkoi prokurorisë të verifikojë se mandati i kryebashkiakut të emëruar nga Edi Rama në Mat, Agron Malaj, është i paligjshëm. Pas 4 muajsh zvarritje, prokuroria na ka dhënë të drejtë. Kryebashkiakut të paligjshëm të Matit duhet t’i hiqet mandati menjëherë. Ai është i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe nuk duhet të mbajë më mandatin”, tha Bardhi.

“Ligji i dekriminalizimit e thotë qartë se një person nuk mund të ushtrojë funksione publike me një dënim të tillë, edhe kur vepra penale deklarohet nga i dënuari, siç është rasti i kryebashkiakut të paligjshëm të Edi Ramës në Mat. Ai jo vetëm duhet të largohet menjëherë, por me ligjin e dekriminalizimit ndalohet përjetë për të kandiduar”.