Politika Presidenca gjermane, Meta: Një mundësi për hapjen e negociatave që nuk duhet...

Presidenca gjermane, Meta: Një mundësi për hapjen e negociatave që nuk duhet humbur

Presidenti Ilir Meta, ka përshëndetur nisjen e kryesimit të Presidencës gjermane në krye të Këshillit Europian për gjashtëmujorin e dytë të vitit.

Duke analizuar prioritetet e presidencës gjermane, Meta ka shprehur mirënjohjen për vendosjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në krye të agjendës europiane.

“Kjo është një mundësi që nuk duhet humbur kurrsesi”, thotë Meta.

Kreu i Shtetit thekson se Shqipëria duhet të zbatojë të gjitha kushtet e vendosura sa më parë.

“Takimi i djeshëm me Kryetarin e Parlamentit ishte një hap i parë optimist për vijimin e emërimeve të Gjyqtarëve të tjerë Kushtetues. Shpresoj që kjo të frymëzojë një qasje të ngjashme gjithëpërfshirëse në të gjitha fushat ku nevojiten reforma kyçe. Pritshmëritë për nisjen e negociatave të anëtarësimit gjatë Presidencës gjermane janë të larta. Nuk do të kursej asnjë përpjekje për Shqipërinë Europiane” deklaron Presidenti.

Përpos KE-së, Gjermania udhëheq aktualisht edhe ekzekutivin e BE-së me në krye presidenten Ursula fon Der Lajen, dhe nga e mërkura do ketë për një afat njëmujor edhe Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.

Nga 1 janari i vitit 2021, presidenca e Këshillit Europian do i takojë Portugalisë.