Bota Gjermania merr presidencën e radhës të BE-së

Gjermania merr presidencën e radhës të BE-së

Gjermania filloi sot presidencën e radhës të Bashkimit Europian përballë sfidave historike, siç është ndikimi i koronavirusit, me shpresë që kancelarja gjermane, Angela Merkel të përfundojë me hyrjen e saj në Panteonin europian.

BE-ja po përballet me recesionin më të thellë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tashmë ka përgatitur një plan të rimëkëmbjes ekonomike, për të ndihmuar BE-në të përballet me pasojat pandemisë së koronavirusit. Merkel priti presidentin francez, Emmanuel Macron, më 29 qershor, pasi të dy udhëheqësit mbështesin bashkërisht fondin e rimëkëmbjes së BE-së.

Kancelarja tha se “Gjermania dhe Franca, në muajt e ardhshëm, duan të luajnë një rol së bashku duke e bërë të qartë se Evropa është e ardhmja jonë”. Merkel theksoi unitetin gjermano-francez në rindërtimin e ekonomisë së BE-së, duke pranuar se “pritjet janë të larta” pasi Gjermania merr presidencën e rradhës të BE.

Merkel dhe Macron së bashku propozuan krijimin e një plani 500 miliardë dollarësh për të ndihmuar Evropën të dalë nga dëmi i rëndë ekonomik i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Propozimi i përbashkët u zgjerua nga Komisioni Evropian, i cili parashtroi plane për një fond prej 750 miliardë eurosh.

Paratë pritet të ndihmojnë vendet më të goditura nga pandemia, të tilla si Italia e ngarkuar me borxhe dhe Spanja. Megjithatë disa vende anëtare e kanë kundërshtuar planin. Një test i parë i madh për presidencën gjermane do të jetë një samit i BE-së më 17 dhe 18 korrik, ku Merkel shpreson se liderët do të arrijnë një marrëveshje mbi fondin. “Fondi nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet e Evropës, por pa të gjërat vetëm do të përkeqësohen”, tha Merkel në një intervistë të publikuar më 26 qershor.