Kryesore Dy viktima dhe 45 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Dy viktima dhe 45 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të mërkurën për vdekjen e 2 pacientëve të tjerë me COVID-19 në Spitalin Infektiv dhe diagnostikimin e 45 rasteve të reja.

Doktoreshë Marjeta Dervishi tha se viktimat ishin dy të moshuara, një 74-vjeçare nga Shkodra dhe një 82-vjeçare nga Tirana, çka e çon në 65 totalin zyrtar të vdekjeve nga pandemia në Shqipëri.

Dervishi u shpreh se po vijon shtrimi në spital i personave me simptoma të rënduara të COVID-19, ndërsa pas 269 testimeve gjatë 24 orëve të fundit ishin diagnostikuar 45 persona të prekur nga virusi, duke e çuar totalin e të prekurve në 2,580 raste.

Aktualisht në spitale janë shtruar 71 persona, 10 prej të cilëve janë në terapi intensive dhe 2 në gjendje të rëndë me frymëmarrje të drejtuar.

Në total, numri i të shëruarve ka shkuar në 1,516 persona, ku 57 ishin të deklaruarit “të shëruar” gjatë 24 orëve të fundit.

Prej muajit mars autoritetet kanë kryer 27,303 testime, prej nga ku janë diagnostikuar 2,580 persona me COVID-19, 1,516 prej të cilëve janë shëruar, 65 kanë vdekur dhe 999 mbeten ende mbartës.

Vdekjet kanë ndodhur: 36 në Tiranë, 9 Shkodër, 11 Durrës, 5 Fier, 2 Vlorë, 1 Kukës, 1 Elbasan.

Shpërndarja gjeografike e “rasteve aktive”: Tiranë 367, Durrës 201, Shkodër 150, Vlorë 110, Fier 47, Lezhë 42, Korçë 28, Kukës 19, Elbasan 16, Gjirokastër 7, Berat 6, Dibër 6.