Kryesore Misteret e vetëflijimit të nënës dhe dy vajzave të saj

Misteret e vetëflijimit të nënës dhe dy vajzave të saj

Ngjarje horrori mund të konsiderohet ajo që u zbulua mbrëmjen e të enjtes në Kombinat.

Dyshohet se 30-vjeçarja Anisa Josifi kishte disa kohë që kishte ndërruar jetë. Nëna, Zhaneta Josifi dhe motra, Blerta Josifi, ja lyenin trupin me vaj e uthull për të vonuar procesin e dekompozimit.

Po ashtu ato e mbulonin me batanije e jorganë për të shmangur erën e rëndë, që fqinjët të mos kuptonin gjë. Blerta Josifi momentalisht ndodhet në spital tek urgjenca e psikiatrisë.

Mësohet se ajo e ka kaluar gjendjen kritike për jetën dhe ka deklaruar para policisë: “Ju nuk e keni idenë se çfarë kemi kaluar ne për të fituar ringjalljen”.

Historia e familjes Josifi

Historia e familjes Josifi është mjaft e trishtë. Dhjetë vite më parë, familja humbi kryefamiljarin Lluk Josifin, i cili u vetëvra në Përmet. Duket se për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, e po ashtu problemeve shëndetësore, i rënduar psikologjikisht ai i dha fund jetës.

Pas ngjarjes, e shoqja, Zhaneta Josifi mori vendimin për t’u transferuar në Tiranë. Ato nisën një jetë të re në kryeqytet në Kombinat.

Për komshinjtë ishin familje shembullore. Por në muajt e fundit, 56-vjeçarja kishte krijuar distancë me banorët e pallatit ku jetonte. Komunikimet mes tyre nuk ndodhin më. Banorët treguan se në apartament kishin parë të futeshin njerëz të veshur “zyrtar” me çanta nëpër duar.

Por asnjë nuk e dinte se çfarë po ndodhte me Zhanetën dhe dy vajzat e saj, Anisën dhe Blertën. I vëllai i saj i alarmuar se nuk po arrinte të komunikonte, i mori në telefon. I shqetësuar nga mungesa e përgjigjes kërkoi ndihmë.

Policia pasi shkoi në banesë gjeti viktimat, si edhe 34-vjeçaren të shtrirë në tokë në gjendje të rëndë. Blertës iu dha ndihma e parë dhe gjendja shëndetësore është e stabilizuar.

Por ajo që e shqetësoi më shumë policinë është fakti që 30-vjeçarja kishte nga 6 muaj deri në 1 vit që ishte ndarë nga jeta, ndërkohë që nëna dhe e motra besonin te ringjallja e saj. Pikërisht për këtë arsye, ia lyenin trupin me vaj e uthull, për të vonuar në një farë mënyrë dekompozimin.

Policia

Drejtori i policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj dha detaje nga ngjarja e rëndë që tronditi Tiranën mbrëmjen e së enjtes.

”Paraprakisht eksperti mjeko-ligjor komunikoi dhe të dy viktimat nuk kishin shenja jete por mendohet se mund të jenë vetëflijuar, grupi hetimor vazhdon hetimet. Po grumbullojmë të gjitha provat materiale në ambientet e banesës. Kemi gjetur shënime të ndryshme me përmbajtje fetare. Të dyja vajzat kanë qenë të arsimuara, kanë mbaruar shkollën e lartë por ishin të papuna. Në konstruktin e tyre shihet që ka shenja të mosushqyerjes ditët e fundit. Do të japim një deklarim më të saktë pasi të dalë ekspertiza mjeko-ligjore”.

Reagimi i sektit

“Dëshmitarët e Jehovait” reaguan në lidhje me këtë ngjarje. Të tronditur, ata informuan se të 3 personat e përmendur në ngjarjen e rëndë, nuk janë pjesëtarë të kësaj organizate dhe nuk janë shoqëruar me ndonjë anëtar të kësaj organizate.

“Përpjekjet për të lidhur këtë ngjarje, apo çdo element të saj me besimin e dëshmitarëve të Jehovait është krejtësisht i pabazë dhe madje fyese për besimin tonë.” – thuhet në deklaratë.